Kurti: Për të pasur zgjedhje, kemi nevojë për një dënim të fortë ndërkombëtar ndaj pranisë së grupeve kriminale

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se qeveria është e hapur ndaj propozimit për zgjedhje të reja.

Në një intervistë për gazetën suedeze ‘aftonbladet’, Kurti ka thënë se për këtë duhet të ekzistojnë disa parakushte.

“Ne kemi nevojë për një dënim të fortë ndërkombëtar të ngjarjeve dhe pranisë së ekstremistëve të dhunshëm dhe grupeve kriminale, si dhe një fund të menjëhershëm të sulmeve ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare”, ka thënë Kurti.

I pyetur se a duhet të largohen policët nga ndërtesat komunale në veri, Kurti ka thënë se ata po qëndrojnë aty sepse jashtë ka grupe të dhunshme, transmeton teve1.info.

“Ndërtesat komunale janë të Kosovës. Policia e Kosovës është brenda dhe rreth këtyre ndërtesave, krah për krah me personelin e NATO-s, sepse jashtë ka grupe të dhunshme, qëllimet e të cilëve nuk janë paqësore, thotë Albin Kurti”.

Sipas tij trazirat e 29 majit janë dëshmi e këtyre qëllimeve jopaqësore.

“Atë ditë u bë e qartë për të gjithë se cilët janë kundërshtarët tanë: grupe të maskuara ekstremiste të djathta që vandalizojnë, sulmojnë dhe djegin gjithçka që nuk konsiderohet serbe, që lartësojnë simbolet nacionaliste dhe shoviniste, si kryqi i Serbisë me katër S dhe shkronja Z, që lidhet me agresionet e Rusisë në Ukrainë”, deklaroi Kurti.

Ai thotë se autorët ose duhet të arrestohen ose të kthehen në Serbi “nga vijnë shumë prej tyre” dhe se shteti i së drejtës duhet të mbizotërojë tani, si për të qetësuar situatën, por edhe për ta çuar atë përpara.

Go to TOP