FSK pjesë e ushtrimit ndërinstitucional “Golden Sabre 2026”
Në Kampin Vrellë u zhvillua ushtrimi i përbashkët “Golden Sabre 2026”, i udhëhequr nga KFOR-i, i ndërtuar mbi skenarë të reagimit ndaj situatave emergjente dhe menaxhimit të krizave në Kosovë.
Ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci njoftoi se edhe FSK-ja ishte pjesë e ushtrimit ndërinstitucional “Golden Sabre 2026”.
“Qëllimi i ushtrimit ishte testimi i procedurave operacionale, komunikimit dhe koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për sigurinë dhe reagimin emergjent, me synim forcimin e gatishmërisë dhe rritjen e efektivitetit në përballimin e situatave të ndryshme.
Forca e Sigurisë së Kosovës mori pjesë me njësitë e Gardës Kombëtare të Kërkim-Shpëtimit, EOD-së dhe ekipet mjekësore, të cilat dëshmuan profesionalizëm, gatishmëri të lartë dhe aftësi të avancuara operacionale gjatë realizimit të detyrave.
Pjesë e ushtrimit ishin edhe KFOR-i, Policia e Kosovës, Agjencia e Menaxhimit Emergjent (AME) dhe EULEX-i, duke reflektuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe me partnerët ndërkombëtarë në forcimin e kapaciteteve për reagim ndaj emergjencave”, shkroi në Facebook, Maqedonci.
