Kurti nga Varshava: Kosova s’duhet të mbetet pas në rrugën drejt BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në fjalimin e tij me rastin e Ditës së Evropës, ka deklaruar se Kosova e sheh Bashkimin Evropian si “shtëpinë natyrale” të saj dhe ka kërkuar që vendi të mos lihet pas në procesin e integrimit evropian.

Kurti tha se mbi 80 për qind e qytetarëve të Kosovës mbështesin anëtarësimin në BE duke e cilësuar këtë si një nga nivelet më të larta të mbështetjes në Evropë.

Ai theksoi se Kosova ka shënuar progres të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik dhe demokratik duke përmendur rritjen ekonomike, avancimin në indekset ndërkombëtare për sundimin e ligjit, lirinë e medias dhe luftën kundër korrupsionit.

“Kosova është gjithashtu vendi më i sigurt në rajon, me shkallën më të ulët të krimit. I gjithë ky progres meriton njohje në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian”, deklaroi Kurti.

Ai kujtoi se Kosova aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor 2022 dhe tha se tani është koha që Bashkimi Evropian të angazhohet për t’i dhënë Kosovës statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.

Sipas tij, derisa pritet vendimi i BE-së, Kosova do të vazhdojë përgatitjet konkrete për procesin integrues, përfshirë përgatitjen e përgjigjeve për pyetësorin e BE-së dhe ngritjen e strukturave ndërinstitucionale negociuese.

Kurti njoftoi gjithashtu se Kosova do të bashkëpunojë ngushtë me Shqipërinë dhe Malin e Zi për të përfituar nga përvoja e tyre në procesin e integrimit evropian.

Në fund të fjalimit, ai përmendi edhe librin “Beethoven and French Revolution” të Fan Noli duke e cilësuar si një vepër me rëndësi të veçantë për Evropën dhe historinë politike. /Kosova.info/


Go to TOP