Konjufca i kërkon Kallasit reagim ndaj deklaratave të Paunoviqit
Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe i Diasporës i Kosovës, Glauk Konjufca, i ka dërguar letër Përfaqësueses së Lartë të Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas, duke kërkuar reagim të qartë dhe të fuqishëm ndaj deklaratave të ministres serbe Snezana Paunoviq, të cilat i ka cilësuar si thirrje për spastrim etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Konjufca ka dënuar deklaratën e ministres serbe të Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale, e cila në një intervistë televizive kishte deklaruar se, po të ishte në pozitën e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, “do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën nga shqiptarët”.
“Kjo deklaratë përbën një glorifikim të qëllimshëm të krimeve të luftës, nxitje të urrejtjes dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar Konjufca në letrën drejtuar Kallasit.
Ai ka vlerësuar se deklarata të tilla nuk mund të trajtohen si një gabim i izoluar, duke theksuar se ato paraqesin një vazhdimësi të retorikës revizioniste që dëmton procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Një retorikë e tillë nga një ministre në detyrë nuk mund të trajtohet si një gabim i thjeshtë”, ka theksuar Konjufca.
Ministri kosovar ka shprehur shqetësim edhe për reagimin fillestar të Bashkimit Evropian, duke kërkuar një qëndrim më të vendosur nga Brukseli kundër gjuhës së urrejtjes dhe mohimit të krimeve të luftës.
“Një reagim më i qartë dhe më i fuqishëm publik është i nevojshëm për të mbështetur angazhimin e BE-së në parandalimin e krimeve mizore, refuzimin e gjuhës së urrejtjes dhe luftën kundër revizionizmit historik”, ka shkruar ai.
Konjufca i ka kërkuar Kallasit që Bashkimi Evropian të dënojë publikisht deklaratat e ministres Paunoviq, t’u rikujtojë autoriteteve serbe detyrimet e tyre ndaj vlerave evropiane dhe që kjo çështje të trajtohet në kuadër të dialogut politik BE–Serbi dhe procesit të anëtarësimit të Serbisë në BE.

