Arifi: Kosova është bërë “non grata” në SHBA, ditë të zeza po vijnë

Ish kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka reaguar me kritika të ashpra ndaj Qeverisë së Kosovës duke e akuzuar se gjatë gjashtë viteve të fundit ka dëmtuar rëndë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përmes një postimi publik, Arifi tha se, sipas tij, Kosova është bërë politikisht e parëndësishme për planifikimet strategjike të SHBA-së, ndërsa Serbia, sipas tij, ka zënë vendin e Kosovës si partner strategjik i Amerikës.

“Nëse nuk do të ishte kaq tragjike, do të ishte për të qeshur! Kosova është shpallur NON-GRATA në Amerikë”, ka shkruar Arifi.

Ai fajësoi kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje duke pretenduar se premtimi për të mos lejuar formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe ka ndikuar në përkeqësimin e raporteve me aleatin kryesor të Kosovës.

Në fund të reagimit të tij, Arifi paralajmëroi se “ditë të zeza po vijnë” për vendin. /Kosova.info/


Go to TOP