Tre zyrtarë policorë arrestohen për korrupsion, Policia: Hetimet nisën nga vetë PK-ja
Policia e Kosovës ka njoftuar se operacioni i zhvilluar sot në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë dhe Inspektoratin Policor të Kosovës është rezultat i hetimeve disa mujore të iniciuara nga vetë Policia e Kosovës.
Sipas njoftimit, gjatë periudhës hetimore janë ndërmarrë veprime intensive operative dhe hetimore, ndërsa për të gjitha dyshimet ndaj disa zyrtarëve policorë janë njoftuar me kohë organet kompetente të drejtësisë dhe IPK-ja.
“Gjatë operacionit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje tre zyrtarë policorë, ndaj të cilëve do të vazhdojnë procedurat e mëtejme ligjore”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit dhe korrupsionit duke theksuar se nuk do të ketë kompromis ndaj asnjë zyrtari që bie ndesh me ligjin, pavarësisht pozitës apo funksionit që ushtron.
Tutje, PK-ja ka bërë të ditur se aktivitetet për identifikimin dhe sjelljen para drejtësisë të personave të përfshirë në veprimtari kriminale do të vazhdojnë pa ndërprerje.
Në fund, Policia ka ftuar qytetarët që të bashkëpunojnë me institucionet ligjzbatuese dhe të raportojnë çdo informacion që ndihmon në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit dhe korrupsionit. /Kosova.info/
