Operacion kundër korrupsionit në Kosovë: Arrestohen tre policë, një tjetër në procedurë të rregullt

Tre zyrtarë policorë janë arrestuar dhe janë ndaluar për 48 orë, ndërsa një tjetër do të hetohet në procedurë të rregullt, pas një operacioni të zhvilluar sot nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion.

Sipas njoftimit, katër zyrtarë policorë janë shoqëruar në objektin e IPK-së për intervistim, ndërsa pas procedurave hetimore, tre prej tyre janë arrestuar me vendim të prokurorit.

Operacioni është realizuar në disa lokacione në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë. Gjatë aksionit janë bastisur pesë persona zyrtarë dhe dy qytetarë civilë, të dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.

Hetimet ndaj zyrtarëve policorë po zhvillohen nën dyshimet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Shkelje e fshehtësisë së procedurës” dhe “Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit”.

Në interes të hetimeve, IPK-ja i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e katër zyrtarëve policorë të përfshirë në rast.

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë dhe se do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme në përputhje me ligjin. /Kosova.info/


Go to TOP