Kryeministri britanik Keir Starmer vjen nesër në Tiranë

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Keir Starmer do të vizitojë ditën e nesërme Shqipërinë, ku do të pritet nga kreu i qeverisë, Edi Rama.

Kjo është hera e parë që një kryeministër britanik vjen në Shqipëri në një vizitë zyrtare, ku midis tyre do të zhvillohet një konferencë e përbashkët në orën 12:40

 “Ditën e nesërme (15 Maj) në orën 12:40 (në Kryeministri), Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një konferencë të përbashkët për shtyp me Kryeministrin britanik, Keir Starmer”, theksohet  në njoftimin e Kryeministrisë.

Ditën e djeshme, Starmer uroi kryeministrin Edi Rama për fitoren të cilën e cilësoi si historike.

“Urime Edi Rama për fitoren tuaj historike në zgjedhje. Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin për të sjellë rezultate për njerëzit e zakonshëm në të dy vendet tona”, shkroi Starmer në një postim në rrjetin social X.

Starmer vjen një ditë para zhvillimit të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, i cili do të mbahet në Tiranë më 16 maj.

Samiti i Komunitetit Politik Evropian pritet të mbledhë liderët e vendeve evropiane dhe të theksojë rëndësinë e Shqipërisë si një partner strategjik për stabilitetin rajonal dhe integrimin evropian.

Këshilli i Europës ka publikuar agjendën e Samitit, që organizohet nga Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Sipas agjendës së publikuar bëhet me dije se “udhëheqësit do të takohen fillimisht në një seancë plenare kushtuar sigurisë dhe një vizioni të përbashkët për të  ardhmen e Evropës”. Më pas do të zhvillohen tre tryeza të rrumbullakëta të nivelit të lartë. Tema e takimit është “Evropa e Re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”.

Udhëheqësit pritet të diskutojnë sigurinë e Evropës, duke përfshirë mbështetjen për Ukrainën, mbrojtjen evropiane, mbrojtjen e demokracisë, si dhe përgatitjen dhe aftësinë e reagimit ndaj kërcënimeve të ndryshme.

“Samiti është strukturuar rreth diskutimeve në tri tryeza tematike, përkatësisht: sigurimi i Evropës dhe forcimi i qëndrueshmërisë demokratike, Evropë për 600 milionë qytetarë: rritja e konkurrueshmërisë dhe sigurisë evropiane përmes, inovacionit dhe qëndrueshmërisë, një Evropë e hapur me kufij të sigurt: adresimi i sfidave të lëvizshmërisë dhe nxitja e fuqizimit të të rinjve,” thuhet në njoftimin e Komunitetit Politik Evropian.

Së bashku me Presidentin Costa, BE-ja do të përfaqësohet edhe nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Përfaqësuesja e Lartë për Punët e Jashtme, Kaja Kallas.


Go to TOP