Krijimtaria e Tish Daijës në ‘Fjalë e tinguj’
Në emisionin “Fjalë e tinguj” u shfaq një pjesë e krijimtarisë së kompozitorit Tish Daija.
Tish Daija lindi në vitin 1926 në Shkodër, ku edhe nisi kontaktet e para me muzikën, në korin françeskan të Martin Gjokës, e më pas në bandën muzikore Antoniane, të drejtuar nga Prenk Jakova.
Që në rini filloi të kompozonte këngë që mbetën edhe sot në repertorin tonë, si: “Kënga e Krushqve”, “Çikë o mori çikë”, “Bjeri gajdes gajdexhi”, “Me lule të bukura” etj.
Ishte viti 1946 kur Tish Daija filloi të punonte si mësues në Vlorë, ndërsa në vitin 1950 jeta e tij mori një kthesë tjetër, pasi nisi studimet për kompozicion në Konservatorin Çajkovski në Moskë.
Pas studimeve, dha kontributin e tij në Ministrinë e Kulturës, ndërsa nga viti 1962 deri në vitin 1980, pra për 18 vite me radhë, Tish Daijës iu besua drejtimi artistik i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.
Në vitin 1999 u bë anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, ndërsa një vit më vonë edhe anëtar i Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës.
Tish Daija, i cili mbante titullin “Artist i Popullit”, ndërroi jetë në vitin 2003, duke lënë pas një krijimtari të pasur që përfshiu të gjitha gjinitë muzikore.
Me rastin e 100-vjetorit të lindjes së kompozitorit, në Tiranë u mbajt një tryezë shkencore nga studiues shqiptarë, ku Daija u vlerësua si një nga figurat më themelore të kulturës dhe muzikës shqiptare.
Në krijimtarinë e tij u veçuan të gjitha gjinitë muzikore: 17 vepra simfonike, 11 vepra vokalo-simfonike, 13 vepra skenike, 9 romanca dhe 8 vepra mbi motive vallëzimi.
Baleti i parë shqiptar, “Halili dhe Hajria”, me autorësi të Tish Daijës, ishte një balet i shtrirë në tri akte dhe shtatë tablo, i kompozuar në vitet ’60. Ky balet shënoi njëkohësisht edhe nisjen e një rruge të rëndësishme në koreografinë shqiptare dhe pasqyroi karakteristikat e stilit të kompozitorit, me nuanca lirike.
