Qeveria konfirmon mbylljen e pesë komunave paralele serbe në veri

Autoritetet kosovare i kanë mbyllur të premten pesë komunale paralele serbe në veri të vendit – pjesë e banuar me shumicë serbe – njoftoi ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi.

Ai tha se komunat paralele serbe kanë funksionuar nën udhëheqjen e Serbisë, duke e “cenuar kushtetutshmërinë dhe ligjet e Republikës së Kosovës”.

Krasniqi tregoi se komunat e mbyllura janë Qarku i Mitrovicës së Kosovë, Komuna paralele e Mitrovicës, Komuna paralele e Zveçanit, Komuna paralele e Zubin Potokut dhe Komuna paralele e Leposaviqit.

Më herët gjatë këtij viti, autoritetet kosovare i mbyllën shtatë komuna të tjera paralele serbe në pjesë tjera të vendit si, Prizren, Pejë, Suharekë, Istog, Klinë, Rahovec dhe Dragash.

“Institucionet e Republikës së Kosovës ofrojnë shërbime për të gjithë qytetarët, pa dallim. Ato janë adresa e duhur për të gjitha kërkesat dhe nevojat e qytetarëve tanë. Mbesim të përkushtuar për sa më shumë shërbime me cilësi sa më të lartë”, tha Krasniqi.

Më herët, Policia e Kosovës tha se, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit dhe Pushtetit Lokal, e zhvilloi një operacion policor në katër komuna në veri të Kosovës.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë dhe ndërprerja e aktiviteteve në pesë objekte të cilat janë shfrytëzuar në cilësi të komunave ilegale, e të cilat janë në kundërshtim me rendin juridik kushtetues”, tha Policia.

Aksioni i së premtes në veri vjen në një kohë kur Qeveria e Kosovës është kritikuar nga bashkësia ndërkombëtare për veprimet e saj “të njëanshme dhe pakoordinuara”, pasi muajin e kaluar mbylli disa degë të Postës së Serbisë në veri dhe tha se synon ta hapë urën kryesore mbi lumin Ibër, e cila ndan Mitrovicën me shumicë shqiptare në jug dhe me shumicë serbe në veri.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha një ditë më parë në Beograd se partnerët evropianë janë të shqetësuar me “lëvizjet e njëanshme të Kosovës”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, iu përgjigj atij të premten duke thënë se Qeveria e tij është duke vendosur sundim të ligjit dhe rendit publik, si dhe duke siguruar paqe dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës – pa dallime.

Qeveria e Kosovës ka thënë vazhdimisht se po përpiqet të vendosë rend dhe ligj, posaçërisht në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe, duke i shuar institucionet paralele serbe.

Katër komunat me shumicë serbe në veri, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, udhëhiqen nga kryetarë shqiptarë prej majit të vitit të kaluar, kur ata morën mandatin nga zgjedhjet lokale që u bojkotuan nga popullata shumicë serbe.

Serbët lokalë – megjithëse morën në peticionin për shkarkim të kryetarëve – ata e bojkotuan procesin më vonë, sikurse ka bërë thirrje Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar.

Në Kosovë, ka komuna, kompani e ndërmarrje publike, çerdhe, shkolla fillore, të mesme dhe universitete publike që financohen drejtpërdrejt nga Qeveria e Serbisë, dhe të cilat gjenden në qytetet dhe vendbanimet ku jetojnë komuniteti serb.

Këto institucione sipas ligjeve në Kosovë janë ilegale. Më 2013, Kosova dhe Serbia në dialogun për normalizimin e raporteve në Bruksel, kishin arritur një marrëveshje për shuarjen e institucioneve paralele, por ende kjo marrëveshje nuk është zbatuar plotësisht.

Serbia, në buxhetin për vitin 2024, ka rritur financimin për punën e institucioneve paralele në Kosovë, përmirësimin e jetës së qytetarëve, informimin, por edhe për mbështetje për klerikët dhe murgjit në Kosovë. Po ashtu, mbështet punën e Universitetit të Prishtinës me seli në Mitrovicën e Veriut dhe investon në projekte mjedisore.

Go to TOP