Krasniqi: Bordi i KOSTT-it nuk mund ta fshehë arsyen e shkarkimit të Evetar Zeqirit – qytetarët meritojnë përgjigje
Gazetari Besnik Krasniqi ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Bordit të KOSTT-it për shkarkimin e kryeshefit ekzekutiv, Evetar Zeqiri duke kërkuar transparencë të plotë rreth arsyes së largimit të tij nga detyra.
Në një deklaratë publike, Krasniqi ka ngritur pyetje të drejtpërdrejta dhe të ashpra për drejtuesit e këtij institucioni:
“A ka vjedhë? A e ka varfëru popullin nëpërmjet hajnisë? A e ka pasuru dikë duke abuzu me detyrën?”, ka shkruar ai duke shtuar se opinioni publik ka të drejtë të dijë të vërtetën.
Ai theksoi se përgjegjësia për situatën e rëndë me faturat e energjisë elektrike nuk bie vetëm mbi Zeqirin, por edhe mbi vetë bordin që, sipas tij, ka heshtur për katër vjet përballë rritjeve të çmimeve që kanë goditur qytetarët.
“Kallxoni! Ia keni detyrim qytetarëve,” ka thënë Krasniqi duke i bërë thirrje Bordit të KOSTT-it që të mos e mbajë të fshehtë arsyen e shkarkimit dhe të japë llogari për menaxhimin e institucionit dhe ndikimin që ka pasur në mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. /Kosova.info/
