A ishte vrasja e policit hetues Lika, fitore e ekstremizmit fetar? A janë të orkestruar nga Serbia?

Shkruan: Idriz MORINA

Pas vrasjes së një polici të respektuar në Kaçanik, Muhamed Lika dilema e parë që u shtrua ishte se ka më shumë mundësi të jetë një vrasje terroriste!

Sipas mendimit tim, ende nuk ka prova që rasti të konsiderohet terrorist.

Madje edhe rasti i vrasjes në Banjë, të policit të Kosovës nga një grup i organizuar serb në krye me Radojçiçin, gabimisht mendoj se është cilësuar terrorist, madje nga vetë shteti. Edhe para një kualifikimi të tillë nga shteti dhe nga disa ekspertë, dhe më pas, e kam cilësuar si sulm të organizuar nga Serbia. Kjo edhe për faktin se ai grup kishte lidhshmëri të qarta dhe ka, me shfrytëzim të aseteve shtetërore, vënie të tyre në shërbim nga institucione shtetërore, dhe bashkëveprim të liderit të grupit me liderin e shtetit Vuçiqin.

Pra, kjo paradigmë më shumë mund të lidhet në kontekstin që po e shqyrtoj unë, se sa që mund të konsiderohet si lidhje me terrorizmin, që si kusht i parë konsiderohet përgjithësisht një vrasje në masë apo të një grupi, dhe vrasje e kryer në publik. As në rastin e parë dhe as në rastin e dytë, nuk ka ndodhur kjo qartësisht.

Akuza për terrorizëm në rastin e parë, e liron nga akuza apo barra kryesore Serbinë për përfshirjen e saj direkte në cenimin e sovranitetit dhe paqes në Kosovë nga agresori i vazhdueshëm në dy shekujt e fundit ndaj nesh, përfshirë kryerjen e disa gjenocideve.

Edhe së paku dy avokat duke iu referuar provave aktuale të prokurorisë nuk e kualifikojnë si sulm terrorist. Madje njëri prej avokatëve që mbron njërin të akuzuar tha publikisht se nëse dalin prova se bëhet fjalë për sulm terrorist dhe përfshirje të klientit të tij, ai do ta braktiste atë, në favor të zbulimit të vrasjes së policit të nderuar.

Fatkeqësisht, e mira do të ishte që të mos ketë ndodhur një sulm tipik terrorist, edhe pse ka pasur raste të vrasjeve në Kosovë, atyre me motive politike, që i kanë ngjarë sulmeve terroriste, por është e qartë se vrasja nuk mund të kualifikohet ndryshe apo më pak se sa fitore trishtuese për ne, e ekspansionizmit të islamit ekstrem.

Manifestimi i tillë ka filluar të ndodhë që nga pas lufta. Burimet e tij janë të ndryshme, sipas vlerësimeve shihet Irani, Arabia Saudite, Turqia etj.

Por, që të gjitha këto lloj burimesh duket se kanë kaluar në bashkëpunim ose është përfshirë Serbia me resurset e saj, mjaft masivisht.

Fatkeqësisht kjo ka qenë më e dukshme në zonat kufitare me Serbinë, komunat si Mitrovicë, Podujevë, Kamenicë, Gjilan, dhe nëpërmjet Maqedonisë në Viti, Kaçanik e Han të Elezit.

Po ashtu ka shfrytëzuar zonat apo ku ka pasur masë të ashtuquajturish besimtarë të devotshëm si në Vushtrri, Prizren, e madje edhe në Prishtinë, duke i udhëhequr kinse drejt pikëpamjeve të pastra islamike, dhe neutrale ose mohuese ndaj kombit.

Shërbimi sekret serb ka aktivizuar dhe fuqizuar ish-strukturat e shumta, të para luftës, të cilat për pak kohë pas lufte ishin të dobëta dhe me kohë u rritën dhe u forcuan.

Madje, kjo lidhje islamike, shprehet mendoj në votat e Vetëvendosjes në dy palë zgjedhje, ku kjo parti ka pasur rezultatet më të mira zgjedhore pikërisht në brezin kufitar dhe brezin e ndikimit serbo-islamik, edhe në qendra të tjera.

Se si dhe pse ka ndodhur ky reflektim mbetet të studiohet, por duhet të hulumtohet edhe nga strukturat e inteligjencës.

Pra, shqiptaria si rezultat i kësaj ndodhie duhet të ndihet e turpëruar për këtë vrasje, që ia ka shkaktuar ky grupim, dhe kjo shfaqje islamizmi ekstrem, ndaj të cilit ka reaguar kryesisht me naivitet dhe mirëkuptim, një pjesë e madhe e shqiptarëve, dhe nuk kanë dashur t’ia dinë, se kjo është mënyra më e mirë e manifestimit të strategjisë serbe kundër nesh, si komb!


Go to TOP