Kosova nuk ka më kontrata lobimi në SHBA: A është ky problem?
Kosova sot nuk ka asnjë kontratë aktive lobimi të regjistruar në Shtetet e Bashkuara.
Në vetvete, ky është vetëm një fakt. Por, në praktikë hap një debat më të gjerë: sa rëndësi ka lobimi për një shtet të vogël që mbështetet te Shtetet e Bashkuara si aleati i tij më i rëndësishëm politik dhe i sigurisë?
Përgjigjja nuk është njësoj për të gjithë.
Për disa njohës të politikës amerikane, mungesa e kontratave të lobimit është shenjë se Kosova ka reduktuar praninë e saj në Uashington në një kohë kur duhet ta forconte atë.
Të tjerë argumentojnë se problemi nuk janë firmat e lobimit, por mungesa e një strategjie të qartë të politikës së jashtme dhe e një diplomacie më aktive.
Debati zhvillohet në një kohë kur marrëdhëniet mes Kosovës dhe SHBA-së kanë kaluar disa sprova.
Dialogu Strategjik mes dy vendeve, i paralajmëruar prej kohësh, nuk ka nisur ende.
Në vitet fundit, zyrtarët amerikanë kanë kërkuar vazhdimisht edhe uljen e tensioneve në veri dhe përparim në dialogun me Serbinë, ndërsa kanë përsëritur se presin një partner të qëndrueshëm dhe funksional në Prishtinë.
Lobimi, përndryshe, nuk është një zëvendësim i diplomacisë, por në Uashington është bërë pjesë e mënyrës se si shumë qeveri ndërtojnë qasje te vendimmarrësit, organizojnë takime dhe promovojnë interesat e tyre politike, ekonomike apo të sigurisë.
Kosova nuk është e panjohur me këtë praktikë.
Që nga vitet 1990 dhe pas shpalljes së pavarësisë, institucionet kosovare kanë angazhuar disa nga firmat më të njohura të lobimit në SHBA.
Për vite me radhë, ato kanë ndihmuar në krijimin e kontakteve me administratat amerikane, Kongresin dhe aktorë të tjerë me ndikim në Uashington.
Që nga qershori i vitit 2024, kjo praktikë ka pushuar.
As Presidenca, as Qeveria dhe as institucionet e tjera nuk figurojnë me kontrata aktive në regjistrin e Aktit të Regjistrimit të Agjentëve të Huaj (FARA) – ligji amerikan që kërkon regjistrimin e individëve dhe kompanive që përfaqësojnë interesa të huaja para institucioneve amerikane.
Radio Evropa e Lirë iu drejtua Presidencës së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, si dhe ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, me pyetje nëse Kosova planifikon të angazhojë sërish kompani lobimi në Shtetet e Bashkuara dhe si synon ta forcojë praninë e saj diplomatike atje, por, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk mori asnjë përgjigje.
Një mjet që Kosova e la pas?
Për Petrit Selimin, ish-ministër i Jashtëm i Kosovës, mungesa e kontratave të lobimit nuk është një detaj administrativ.
Sipas tij, ajo pasqyron një ndryshim më të thellë në mënyrën se si Kosova e ka trajtuar marrëdhënien me Uashingtonin.
Ai kujton se lobimi ka qenë pjesë e politikës së jashtme të Kosovës që nga vitet 1990, për të vazhduar edhe pas shpalljes së pavarësisë më 2008, kur institucionet kosovare kanë bashkëpunuar me kompani të njohura për të krijuar qasje te vendimmarrësit, për të organizuar takime dhe për të qenë në agjendën politike amerikane.
“Ky nuk ka qenë luks, por nevojë jetike për shtete të vogla si Kosova”, thotë Selimi për Radion Evropa e Lirë.
Sipas tij, kjo nevojë është bërë edhe më e madhe në vitet e fundit, pasi mënyra se si funksionon Uashingtoni, nën administratën e presidentit Donald Trump, ka ndryshuar.
Përveç institucioneve tradicionale, rol më të madh kanë marrë rrjetet politike, këshilltarët dhe kompanitë private të lobimit, të cilat, sipas tij, shpesh kanë qasje më të drejtpërdrejtë te vendimmarrësit.
“Në këto vitet e fundit kemi pasur nevojë për kompani që ndihmojnë të hapen dyert”, thotë Selimi.
“Është asgjë më pak se tragjike dhe krejtësisht e pakuptueshme që Kosova e ka dobësuar si praninë diplomatike vetanake në Ambasadë, ashtu edhe ndërveprimin me lobistë privatë amerikanë”, shton ai.
Në vlerësimin e tij, problemi nuk është vetëm mungesa e një kontrate lobimi.
Ai argumenton se Kosova ka reduktuar njëkohësisht dy mekanizma që duhet të plotësojnë njëri-tjetrin: diplomacinë dhe lobimin.
Nëse do ta këshillonte sot Qeverinë e Kosovës, Selimi thotë se hapi i parë do të ishte forcimi i Ambasadës në Uashington me staf kompetent.
Krahas kësaj, ai propozon angazhimin e dy kompanive të specializuara lobiste – një për agjendën politike, ekonomike dhe të sigurisë, dhe një tjetër për komunikim strategjik dhe diplomaci digjitale.
Për të, këto nuk janë shpenzime dytësore, por investime në aftësinë e Kosovës për të mbrojtur dhe promovuar interesat e saj në kryeqytetin amerikan.
Diplomacia para lobimit
Ideja se Kosovës i mungojnë kompanitë e lobimit nuk i bind të gjithë.
Robin Brooks, ish-zyrtare në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, argumenton se debati shpesh e mbivlerëson rolin e lobistëve dhe nënvlerëson atë të diplomacisë.
Ajo thotë se diplomatët, e jo lobistët, duhet të jenë kanali kryesor për përfaqësimin e Kosovës, sepse ata veprojnë me mandat nga qeveria e tyre, janë transparentë dhe mbajnë përgjegjësi për mbrojtjen e interesit shtetëror.
“Unë do të preferoja shumë më tepër të punoja me një koleg, një diplomat, për të cilin e di se përfaqëson ministrin e Jashtëm, presidentin apo kryeministrin e vendit të tij”, thotë Brooks për Radion Evropa e Lirë.
Ajo shpreh skepticizëm ndaj lobimit, duke theksuar se ai bart rrezik për korrupsion, krijon marrëdhënie personale dhe biznesi që nuk janë gjithmonë transparente dhe mund të mos jenë në përputhje me interesat më të gjera, si të Shteteve të Bashkuara, ashtu edhe të vendit që përfaqësohet.
“Shpesh lobistët bënin gjëra që, për mua si diplomate, dukeshin më pak legjitime. Ata krijonin marrëdhënie me zyrtarët amerikanë përmes darkave, udhëtimeve, dhuratave dhe formave të tjera të afrimit, krahas ofrimit të informacionit”, thotë ajo.
Sipas Brooksit, lobimi mund të jetë i dobishëm vetëm në raste të kufizuara dhe shumë specifike, kur një shtet i vogël – me kapacitete të kufizuara diplomatike – ka një objektiv të caktuar që diplomatët e tij nuk mund ta mbulojnë plotësisht.
Si shembuj, ajo përmend zhvillimin e një programi civil të energjisë bërthamore apo hapjen e një tregu të veçantë eksporti.
“Pikërisht për këtë janë lobistët – për çështje të kufizuara dhe shumë specifike”, thotë Brooks.
Ndaj, në vend të kontratave të reja të lobimit, ajo thotë se do të investonte në një ambasadë më të fuqishme, me më shumë diplomatë dhe kapacitete për të ndërtuar marrëdhënie të drejtpërdrejta me Kongresin, administratën amerikane dhe qendrat e politikëbërjes.
Lobimi si mjet, jo si strategji
Në një pikë mes këtyre dy qëndrimeve është Blerim Vela, ish-shef i kabinetit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.
Për të, debati nuk është nëse Kosova duhet apo jo të angazhojë firma lobimi, por si duhet të ndërtojë praninë e saj në Uashington.
“Çështja e lobimit në SHBA duhet parë si një mjet për realizimin e qëllimeve në politikën e jashtme”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Vela, aktualisht bashkëpunëtor i jashtëm kërkimor i Qendrës për Siguri dhe Qëndrueshmëri në Oslo, argumenton se përfaqësimi i Kosovës duhet të mbështetet në tri shtylla: Ambasadën në Uashington, komunitetin shqiptaro-amerikan dhe, si element plotësues, kontratat e lobimit.
Por, sipas tij, asnjëra prej tyre nuk mund të japë rezultat nëse mungon koordinimi mes Presidencës, Qeverisë dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe një “politikë koherente” që u jep vazhdimësi objektivave të politikës së jashtme.
Ai vlerëson se edhe mënyra se si funksionon administrata amerikane, ka ndryshuar.
Vendimmarrja, thotë ai, është bërë më e centralizuar në Shtëpinë e Bardhë, çka kërkon edhe një qasje tjetër nga Kosova.
“Duhet ta kuptojmë se si merren vendimet në sistemin amerikan dhe të përshtatemi me të”, thotë Vela.
Ai shton se, para se të flitet për kontrata të reja lobimi, institucionet duhet të forcojnë vetë diplomacinë. Kjo nënkupton ambasada me më shumë diplomatë dhe objektiva të përcaktuara qartë.
“Qeveria e Kosovës dhe institucionet e Kosovës duhet ta kryejnë punën e tyre. Puna e tyre primare është të sigurohen që ambasadat të jenë me numër sa më të madh diplomatësh. Pastaj, t’i përcaktojnë qëllimet”, thotë ai.
Por, për Velën, sfida shkon përtej marrëdhënieve me SHBA-në.
Ai argumenton se krizat e brendshme politike kanë bërë që politika e jashtme e Kosovës të humbasë vazhdimësinë dhe iniciativën, duke e bërë vendin më pak të pranishëm në skenën ndërkombëtare.
“Nëse vazhdohet me këtë qasje, do ta humbim hapin dhe pastaj do të jetë vështirë të konsolidohet pozicionimi ynë”, përfundon ai.
Mësimet nga Serbia dhe Bosnje dhe Hercegovina
Ndryshe nga Kosova, Serbia – e cila vazhdon ta kundërshtojë pavarësinë e Kosovës dhe të lobojë kundër anëtarësimit të saj në organizata ndërkombëtare – investon në praninë e saj në Uashington.
Sipas regjistrit amerikan të FARA-s, institucionet serbe dhe subjektet e lidhura me to kanë aktualisht gjashtë kontrata aktive lobimi, që mbulojnë fusha të ndryshme, nga bashkëpunimi ekonomik dhe energjetik deri te përfaqësimi i interesave politike të Beogradit.
Për Brooksin, megjithatë, ndikimi i Serbisë nuk shpjegohet vetëm me këto kontrata.
Ajo vëren se Ambasada e Serbisë në Uashington është “ndoshta pesë herë më e madhe” se ajo e Kosovës, me më shumë staf dhe burime, gjë që i mundëson të ndërtojë marrëdhënie të vazhdueshme me institucione të ndryshme amerikane.
Si shembull, Brooks përmend ish-ambasadorin serb në SHBA, Marko Gjuriq, i cili gjatë një periudhe të administratës Biden, sipas saj, kishte “qasje të drejtpërdrejtë te presidenti” dhe më vonë u emërua ministër i Jashtëm.
“Marko Gjuriq ishte çdo ditë në Kongres, trokiste në dyer, ndërtonte marrëdhënie, organizonte darka pune dhe bënte punën që duhej bërë. Ai mund ta bënte këtë sepse ishte mik i ngushtë me presidentin e vendit”, thotë Brooks.
Me këtë rast, ajo e përmend edhe Bosnje dhe Hercegovinën kryesisht si një shembull paralajmërues se si lobimi mund të përdoret në mënyrë të gabuar.
Ajo thekson se, ndonëse në SHBA janë të regjistruara 16 kontrata lobimi për Bosnje dhe Hercegovinën, “shumica, në fakt, përfaqësojnë Republikën Sërpska”.
Sipas saj, qëllimi kryesor i tyre ka qenë heqja e sanksioneve ndaj ish-liderit të entitetit serb, Millorad Dodik – një objektiv që, thotë Brooks, nuk u shërbente interesave të Bosnje dhe Hercegovinës dhe nuk u zhvillua në mënyrë transparente.
Për Brooksin, kjo është një kujtesë se një shtet nuk mund ta ndërtojë politikën e jashtme vetëm mbi kontrata lobimi.
“Nuk dua që diplomacia të funksionojë mbi bazën e parimit ‘paguaj për të pasur qasje’”, përfundon ajo.
