Emërimi i Andrea Pirlo si përzgjedhës i Italisë vihet në pikëpyetje
Mundësia që Andrea Pirlo të emërohet përzgjedhës i Kombëtares së Italisë është vënë në dyshim për shkak të lidhjeve të tij komerciale me kompaninë ruse të basteve “Fonbet”.
Fituesi i Kupës së Botës ishte shfaqur si kandidati kryesor për ta zëvendësuar Gennaro Gattuso, pasi Pep Guardiola kishte refuzuar ofertën për ta marrë drejtimin e kombëtares italiane.
Megjithatë, drejtues të Federatës Italiane të Futbollit dhe politikanë italianë kanë ngritur shqetësime lidhur me rolin e Pirlos si ambasador global i kompanisë ruse të basteve.
Sipas Reuters, FIGC nuk ka dhënë koment zyrtar, por burime pranë çështjes kanë bërë të ditur se lidhjet e Pirlos me Rusinë janë duke u shqyrtuar dhe se ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Pirlo, i cili aktualisht drejton ekipin United FC në Emiratet e Bashkuara Arabe, nënshkroi marrëveshjen me “Fonbet” në tetor të vitit të kaluar. Debati u intensifikua pasi ai mori pjesë, së bashku me ish-bashkëlojtarin Marco Materazzi, në një aktivitet promovues të organizuar në stadiumin Luzhniki të Moskës.
Vetë Pirlo ka deklaruar se pjesëmarrja e tij ishte vetëm për qëllime profesionale dhe nuk kishte karakter politik.
Megjithatë, reagimet në Itali kanë qenë të forta. Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Pina Picierno, ka thënë se futbolli italian kishte nevojë për një ndryshim kulturor dhe etik, ndërsa emërimi i Pirlos do të ishte një hap në drejtim të kundërt.
Edhe kryetari i Senatit italian, Ignazio La Russa, ka shprehur dyshime për aftësinë e Pirlos si trajner i kombëtares.
Polemikat vijnë në një periudhë të ndjeshme për futbollin italian, pas dështimit të tretë radhazi të kombëtares për t’u kualifikuar në Kupën e Botës.
