AKB në Pogradec: Mikpritja shqiptare të kthehet në identitet të përbashkët kombëtar
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB), e përfaqësuar nga kryetari Agim Shahini, mori pjesë në aktivitetin kombëtar “Bukë, Kripë e Zemër, Ujë, Vaj Ulliri dhe Buzëqeshje”, të organizuar në Pogradec nga Shoqata e Restoranteve dhe Bujtinave Shqiptare në bashkëpunim me Bashkinë e Pogradecit.
Veprimtaria u zhvillua nën kujdesin e prefektes së Qarkut Korçë, Dr. Florinda Zegullaj, kryetarit të Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli dhe prefektit të Tiranës, Shkëlqim Hajdari, ndërsa mblodhi përfaqësues të institucioneve, biznesit, turizmit dhe gastronomisë nga Shqipëria dhe Kosova.
Në fjalën e tij, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, përgëzoi organizatorët për nismën, duke theksuar se mikpritja shqiptare është një nga vlerat më të çmuara kombëtare dhe një aset i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe turistik.
“Është nder dhe kënaqësi të përfaqësoj Kosovën në këtë nismë kaq domethënëse. Tradita shqiptare e bukës, kripës dhe zemrës është një vlerë që na bashkon të gjithë shqiptarët. Kjo iniciativë duhet të shtrihet në të gjitha trojet shqiptare, përfshirë Kosovën, si simbol i mikpritjes, respektit dhe zhvillimit të turizmit”, u shpreh Shahini.
AKB vlerësoi gjithashtu angazhimin e Dr. Florinda Zegullaj, Ilir Xhakollit, Shkëlqim Hajdarit dhe Kujtim Dervishit për organizimin dhe mbështetjen e kësaj nisme, e cila synon promovimin e traditës, gastronomisë dhe kulturës shqiptare, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit në mbarë hapësirën shqiptare. /Kosova.info/
