Kasapolli ngre dyshime për duelin Joshua-Prenga: Më shumë pikëpyetje sesa boks
Komentatori i njohur i boksit, Agim Kasapolli, ka shprehur dyshime për zhvillimin e duelit të peshave super të rënda mes Joshuas dhe Prengës duke e cilësuar atë si një përballje që “duhet harruar sa më parë”.
Në analizën e tij, Kasapolli, i cili thotë se ka komentuar mbi 400 duele amatore dhe profesioniste, vlerëson se ndeshja ngriti shumë pikëpyetje për mënyrën se si u zhvillua. Sipas tij, dy nokdaunët e Joshuas në raundin e parë nuk dukeshin bindës, ndërsa rikthimi i menjëhershëm i tij dhe ndërprerja e meçit në raundin e dytë pas rrëzimit të Prengës krijojnë dilema që, sipas tij, është e vështirë të shpjegohen vetëm me argumente sportive.
Kasapolli kritikon gjithashtu atmosferën e krijuar para dhe gjatë mbrëmjes sportive duke thënë se spektakli u dominua nga marketingu dhe patriotizmi i theksuar, ndërsa boksi mbeti në plan të dytë.
Ai thekson se, megjithëse të dy boksierët përfituan financiarisht nga përballja – Joshua me 4 milionë dollarë dhe Prenga me 1 milion dollarë – besimi i publikut mbetet kapitali më i rëndësishëm i sportit.
Në përfundim, Kasapolli thekson se nuk synon të japë verdikte përfundimtare, por vlerëson se kjo përballje do të mbahet mend më shumë për dilemat që la pas sesa për cilësinë e boksit duke shtuar se sporti ka nevojë për duele që forcojnë besimin e publikut, e jo që ushqejnë dyshimet. /Kosova.info/
