Aleanca kërkon hetim nga prokuroria dhe policia për profilet e rreme

Subjekti politik Aleanca ka kërkuar nga Prokuroria dhe Policia e Kosovës që të ndjekin dhe hetojnë penalisht çdo person që organizon ose merr pjesë në rrjete me profile të rreme dhe fushata të koordinuara të dezinformimit.

Reagimi i Aleancës vjen pas shqetësimeve të ngritura lidhur me profilin e rremë “Lule Gjeli”, i cili prej vitesh akuzohet për fyerje, shpifje, linçime dhe sulme ndaj figurave publike, veçanërisht ndaj eksponentëve të ish-opozitës.

“Qëllimi i kësaj propagande nuk është vetëm elektoral. Synimi është delegjitimimi i të gjitha të arriturave të shtetit të Kosovës, rrënimi i besimit të qytetarëve në institucionet e shtetit dhe ulja e besimit te aleatët tanë strategjikë, për të krijuar një realitet të rremë politik, nga i cili përfiton vetëm pushteti dhe, në mënyrë indirekte, edhe armiqtë e Kosovës”, thuhet në reagimin e Aleancës.

Sipas tyre, përdorimi i profileve të rreme, fushatave të koordinuara të dezinformimit dhe linçimit politik është bërë shenjë dalluese e kulturës politike që, sipas Aleancës, Lëvizja Vetëvendosje ka ndërtuar gjatë viteve të fundit.

“Demokracia nuk mbrohet me ushtri profilesh të rreme, por me sundim të ligjit dhe përgjegjësi”.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale një denoncim, duke kërkuar nisjen e hetimeve lidhur me këtë profil.

Profili “Lule Gjeli” kishte shpallur të vdekur edhe ish-kryeministrin Avdullah Hoti.

Go to TOP