FBK ngushëllon familjen Belegu: Basketbolli i Kosovës humbi një prej figurave më të mëdha

Federata e Basketbollit të Kosovës ka lëshuar telegram ngushëllimi pas ndarjes nga jeta të legjendës së basketbollit, Mithat Belegu.

Në telegramin e nënshkruar nga kryetari Arben Fetahu thuhet:

“Me pikëllim të thellë kemi pranuar lajmin për ndarjen nga jeta të Mithat Belegut. Ai ka dhënë kontribut të madh si lojtar e gjyqtar, derisa do të mbahet mend nga të gjitha gjeneratat për ndihmën e madhe në basketbollin e Kosovës.”

Tutje në telegram theksohet se “Vdekja e tij është një humbje e madhe për basketbollin e Kosovës.”

FBK kujton se Belegu ka qenë lojtari më i mirë i Kosovës në vitet e 60-ta, tri herë koshashënuesi më i mirë i Ligës së Dytë të Jugosllavisë, ndërsa më 1978 u bë gjyqtari i parë ndërkombëtar i FIBA-s nga Kosova, me 242 ndeshje në ligat e Jugosllavisë dhe karrierë në 4 kontinente e mbi 40 shtete.


Go to TOP