Banka Botërore e vlerëson negativisht atë në të cilën Qeveria Kurti ka investuar më së shumti – skemat pensionale

Banka Botërore në raportin e fundit për Europën, ka konstatuar se rritja ekonomike në Kosovë pritet të ngadalësohet në 3.1 për qind për shkak të mungesës së investimeve kapitale dhe konsumit privat.
Në raportin e Bankës Botërore, tek kapitulli për Kosovën, potencohet si sfidë kryesore e ekonomisë rritja e kostos së importit të energjisë.

“Rritja e kostove të importit të energjisë përfaqëson sfidë kryesore për vitin 2022 dhe mund të ndikojë negativisht në pozicionin fiskal duke pasur parasysh nevojën më të lartë për të subvencionuar importet e energjisë elektrike”, thuhet në raport.

Qeveria Kurti është kritikuar për mungesë investimesh kapitale, e cila në gjashtëmujorin e këtij viti, ka 39 për qind më pak shpenzime kapitale në krahasim me atë të vitit të kaluar.

Në raportin e kësaj banke vlerësohet si jo-fleksibile ndihma financiare e Qeverisë Kurti për skemat sociale, sipas të cilit ofron mbrojtje të kufizuar nga të cenuarit prej inflacionit.

Presion për ekonominë kosovare është parë edhe kërkesa për rritje pagash, si pasojë e normës së lartë të inflacionit. Sipas Bankës Botërore, rritja e çmimit të faturave të rrymës dhe produkteve të shportës dëmton shtresat e mesme dhe të ulëta.

Sipas raportit, inflacioni ka rritur deri në 20 për qind deri në gusht produktet e ushqimit dhe transportit, duke dëmtuar buxhetin e familjes.

Lidhur me këto rezultate, ka reaguar deputeti i LDK-së, Besian Mustafa. Ai, nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’, ka thënë se ky raport konfirmon atë që ka ndjerë çdo qytetar i vendit dhe çdo familje kosovare gjatë një viti e gjysmë – ekonomia dhe standardi i jetesës janë në rënie të lirë.

Lidhur me këtë, ka reaguar edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili tha se nën këtë qeveri, Kosova po kalon krizën më të thellë ekonomike që nga paslufta.

“Nën këtë qeveri të papërgjegjshme, Kosova po kalon nëpër krizën më të thellë ekonomike që nga përfundimi i luftës. Dhe përballë tendencës qeveritare për të mbuluar dështimet e tyre me propagandë politike, janë qytetarët ata që mbi supet e tyre po e bartin barrën e rëndë të paaftësisë së qeverisjes së Albin Kurtit”, deklaroi ai.

Go to TOP