Deliu: Qeveria po hakmerret ndaj mësimdhënësve

Deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu, e ka vlerësuar të turpshëm veprimin e Qeverisë për mos ekzekutimin e pagave të shtatorit për mësimdhënësit, të cilët ishin në grevë. Ajo e ka quajtur këtë si trajtim armiqësor ndaj mësimdhënësve.
“E turpshme mënyra e trajtimit armiqësor të mësimdhënësve tanë! Edhe më e turpshme arsyeja e këtij trajtimi të ndërtuar mbi paranojën e Kryeministrit se sindikatat duan ta pengojnë instalimin e pushtetit të tij absolut, sepse atë politik nuk mund t’ia cenojë. Atë e vendos vullneti politik i qytetarëve”, ka shkruar Deliu në profilin e saj në Facebook.

Sipas Deliut kjo është një hakmarrje e hapur e ekzekutivit ndaj mësimdhënësve grevistë dhe se në këtë mënyrë po jep shembull për të gjithë ata që synojnë ta sfidojnë.

“Ky ndëshkim i pajustifikueshëm e arbitrar nuk ka të bëjë më me kërkesat e mësimdhënësve, por me një hakmarrja të hapur për të krijuar shembullin për cilindo që denjon të sfidojë përpjekjen malicioze të Kryeministrit për të etabluar një pushtet të frikës. Prandaj, nuk kanë humbur mësimdhënësit, por ka mbizotëruar frika kolektive ndaj pushtetit”, ka shkruar tutje ajo.

Go to TOP