KEK vlerësohet nga AIP për avancimin e transparencës dhe qasjes në dokumente publike

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) është vlerësuar nga Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) për kontributin në avancimin e transparencës institucionale dhe garantimin e të drejtës për qasje në dokumente publike.

Në ceremoninë e organizuar me rastin e 5-vjetorit të themelimit të AIP-së, përfaqësuesi i KEK-ut, Skënder Bucolli, u nderua me Certifikatë Mirënjohjeje për angazhimin, profesionalizmin dhe kontributin e tij në forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në Republikën e Kosovës.

Sipas KEK-ut, ky vlerësim përbën një njohje të përkushtimit institucional për zbatimin e standardeve më të larta të transparencës, qasjes në informacion dhe qeverisjes së mirë, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

KEK ka shprehur mirënjohje ndaj AIP-së për bashkëpunimin e vazhdueshëm profesional dhe rolin e saj në promovimin e transparencës dhe forcimin e besimit të qytetarëve në institucionet publike.

Nga korporata theksohet se ky sukses është rezultat i angazhimit të menaxhmentit, Bordit të Drejtorëve dhe punonjësve të saj, të cilët kanë kontribuar në forcimin e mekanizmave institucionalë për qasje në dokumente publike, trajtimin profesional të kërkesave të qytetarëve dhe respektimin e obligimeve ligjore në fushën e transparencës.

KEK ka ritheksuar se do të vazhdojë të promovojë kulturën e transparencës, komunikimit të hapur dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve edhe në të ardhmen. /Kosova.info/


Go to TOP