Shahini takon Presidentin Begaj në 100-vjetorin e Prefekturës së Tiranës: Fokusi te bashkëpunimi ekonomik Kosovë-Shqipëri
Në kuadër të shënimit të 100-vjetorit të themelimit të Prefekturës së Tiranës, Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka zhvilluar një takim me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, si dhe me Kryetarin e Prefekturës së Tiranës, Shkëlqim Hoxha.
Gjatë takimit u diskutua për thellimin e bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, krijimin e mundësive të reja për bizneset, si dhe nevojën për forcimin e institucioneve të Kosovës në funksion të integrimit ekonomik dhe zhvillimit të qëndrueshëm.
Kryetari i AKB-së, Agim Shahini, theksoi se Aleanca Kosovare e Bizneseve mbetet e përkushtuar për të mbështetur çdo iniciativë që kontribuon në zhvillimin e ekonomisë dhe forcimin e bashkëpunimit mbarëshqiptar.
“AKB është e gatshme të kontribuojë dhe të mbështesë çdo nismë që ndihmon zhvillimin ekonomik, rritjen e investimeve, krijimin e vendeve të reja të punës dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë”, deklaroi Shahini.
100-vjetori i Prefekturës së Tiranës u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për takime institucionale, shkëmbim idesh dhe forcim të lidhjeve ndërmjet përfaqësuesve institucionalë dhe ekonomikë nga të gjitha trojet shqiptare. /Kosova.info/
