Kapen 2 persona në kërkim ndërkombëtar në Shqipëri, pritet ekstradimi i tyre në Slloveni dhe Kosovë

Policia shqiptare vijon operacionet në bashkëpunim me homologët dhe me Interpol Tiranën për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Sipas njoftimit të policisë, është finalizuar operacioni policor i koduar “Double”, i zhvilluar nga Fast Albania, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe drejtoritë e policisë së Tiranës dhe Fierit.

“Vihen në pranga me qëllim ekstradimin drejt Sllovakisë dhe Kosovës, 2 shtetas të kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve”, ka shtuar policia.

Gjatë 12 orëve të fundit policia ka arrestuar shtetasin R. D., 46 vjeç, lindur në Sllovaki, i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Pezinok/Sllovaki, me vendimin e vitit 2021, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal i Sllovakisë. Ky shtetas u kap në Plug, Lushnjë.

Ndërkohë është arrestuar edhe shtetasi G. S., 32 vjeç, banues në Kosovë, pasi autoritetet kosovare kanë lëshuar urdhër arresti në ngarkim të këtij shtetasi, për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, parashikuar nga Kodi Penal i Kosovës. Ky shtetas u kap në rrugën “Reshit Petrela” në Tiranë.

Fast Albania është duke bashkëpunuar ngushtësisht me homologët e saj ne Europë, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Go to TOP