Irani thotë se mbi 200 persona janë vrarë gjatë protestave

Mbi 200 persona janë vrarë në Iran që kur shpërthyen protestat mbarëkombëtare pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Aminit, tha më 3 dhjetor trupi kryesor i sigurisë iraniane.

Amini, 22 vjeçe, vdiq më 16 shtator pasi u arrestua në Teheran nën pretendimet për shkeljen e rregullave të veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve, IRNA, Këshilli Suprem i Sigurisë Kombëtare tha se numri i viktimave gjatë trazirave “ka tejkaluar shifrën prej 200”.

Ky këshill tha se në këto të dhëna përfshihen zyrtarët e vrarë të sigurisë, civilët, “separatistët”, por edhe “rebelët” – term që përdoret nga autoritetet iraniane për të përshkruar protestuesit.

Një gjeneral i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, për herë të parë gjatë kësaj jave tha se mbi 300 persona kanë vdekur gjatë trazirave.

Këshilli i Sigurisë tha se përveç viktimave në njerëz, dhuna ka shkaktuar dëme në vlerë prej miliona dollarësh.

Organizata Iran Human Rights – organizatë me seli në Oslo – tha të martën se të paktën 448 persona “janë vrarë nga forcat e sigurisë gjatë protestave mbarëkombëtare që ende po vazhdojnë”.

Shefi për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara, Volker Turk, javën e kaluar deklaroi se 14.000 persona, përfshirë fëmijë, janë arrestuar gjatë shtypjes së protestave.

Go to TOP