IPK konfirmon përfshirjen e një zyrtari policor në konflikt fizik në Prizren – ndalohet për 48 orë

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se është informuar nga Policia e Kosovës në Prizren lidhur me një incident fizik të ndodhur më 31 maj në rrugën “Tranziti i Vjetër”, ku dyshohet se ishte i përfshirë edhe një zyrtar policor.

Sipas njoftimit, konflikti fillimisht kishte nisur si një përplasje verbale mes disa personave, por më pas ka eskaluar në përleshje fizike duke rezultuar me disa të lënduar.

Hetimet preliminare kanë identifikuar tre persona të dyshuar të përfshirë në këtë incident – dy qytetarë dhe një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare. IPK njofton se zyrtari policor ishte i suspenduar më parë për një rast tjetër.

Me vendim të Prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore në Prizren, të tre personave u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulm” sipas nenit 184 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

IPK thekson se mbetet e përkushtuar në zbatimin e mandatit të saj ligjor për hetimin e të gjitha rasteve ku përfshihen zyrtarë policorë dhe siguron opinionin publik se çdo dyshim ndaj pjesëtarëve të sigurisë do të trajtohet me paanshmëri dhe profesionalizëm të plotë. /Kosova.info/


Go to TOP