KEK nis zbatimin e furnizimit nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit për konsumatorët pa kontratë në tregun e lirë
Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se nga data 1 qershor 2025 ka filluar me sukses zbatimin e furnizimit nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi.
Ky hap vjen pas përcaktimit zyrtar të KEK-ut si FMF, bazuar në Rregulloren e ZRRE Nr. 08/2017 dhe vendimin Nr. V_1544_2022 të datës 03 gusht 2022, që përcakton vlefshmërinë e këtij roli deri më 30 korrik 2025. FMF ka për qëllim të garantojë furnizim të pandërprerë për konsumatorët që nuk kanë zgjedhur ende një furnizues në tregun e lirë.
KEK ka bërë të ditur se më 31 maj 2025 ka siguruar me sukses energjinë e nevojshme për këtë qëllim duke blerë kapacitetet në tregun e hapur me një çmim mesatar prej 64.55 euro për megavat-orë (€/MWh), i vlefshëm për datën 1 qershor 2025.
Të gjithë konsumatorët që aktualisht janë pa kontratë me një furnizues të licencuar do të vazhdojnë të furnizohen përmes FMF, derisa të kalojnë në treg të lirë. KEK i ka ftuar qytetarët që të informohen për çmimet aktuale përmes bursës zyrtare të energjisë ALPEX (alpex.al) dhe të kontaktojnë në adresën zyrtare [email protected] për çdo informacion shtesë.
Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt liberalizimit të plotë të tregut të energjisë elektrike në Kosovë. /Kosova.info/
