InTER kërkon reagim urgjent ndaj zjarrit të pakontrolluar në deponinë “Lučka Reka” në Zubin Potok

Instituti InTER ka ngritur alarmin për një krizë serioze mjedisore që po zhvillohet në komunën e Zubin Potokut, ku prej më shumë se dhjetë ditësh deponia sanitare “Lučka Reka” është përfshirë nga një zjarr i pakontrolluar. Ky zjarr po çliron sasi të mëdha tymi të dendur dhe toksik, i cili është përhapur përgjatë luginës së lumit Ibër duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e banorëve në zonat përreth, përfshirë Zubin Potokun dhe Mitrovicën.

Sipas deklaratës së InTER, situata është e rrezikshme për shkak të përbërjes së ndryshme dhe të mundshme të rrezikshme të mbeturinave që grumbullohen në këtë deponi, përfshirë edhe prani të gazit metan në shtresat e thella të mbeturinave, që rrit rrezikun nga shpërthimet dhe vështirëson ndërhyrjen për shuarjen e zjarrit.

InTER kritikon mungesën e veprimeve të mjaftueshme nga institucionet lokale dhe qendrore përballë kësaj situate alarmante dhe bën thirrje për një ndërhyrje të menjëhershme dhe të koordinuar me makineri të specializuara, pajisje të duhura dhe staf të trajnuar.

“Dështimi për të vepruar mund të sjellë pasoja afatgjata dhe të pakthyeshme për mjedisin dhe shëndetin publik,” thekson organizata.

InTER fton institucionet përgjegjëse, organizatat ndërkombëtare dhe aktorët lokalë të mobilizohen urgjentisht për të parandaluar një katastrofë të mundshme mjedisore në veri të Kosovës.


Go to TOP