Hyseni: Të kujtojmë sakrificën e atyre që kontribuan për liri
Në Gjilan ka filluar edicioni i 34-t i manifestimit “Flaka e Janarit”, me programin kulturor e artistik për fëmijë.
I pari i komunës, Alban Hyseni, ka theksuar se ka qenë kjo një ditë e ngjeshur me aktivitete në 34- vjetorin e shënimit të Manifestimit Mbarëkombëtar, që është unik për nga karakteri në të gjitha trojet shqiptare.
Sipas njoftimit të komunës, Hyseni tha se brezat që po vijnë tani do të duhej ta përkujtonin e ta shihnin këtë manifestim për çdo ditë në mënyrë që ta mbajnë në kujtesë periudhën nëpër të cilin ka kaluar populli shqiptar.
Andaj pikërisht në këtë ditë i është bërë një vizitë familjes Mala e Berisha, ku u përkujtuan ngjarjet, përjetimet, tha Hyseni, duke kërkuar nga të gjithë së bashku t’i ruajmë këto vlera kombëtare e të kujtojmë historinë dhe sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë tonë.
Manifestimi “Flaka e Janarit” ka marrë këtë emër pasi në këtë muaj, gjatë historisë ranë heroikisht figura të shquara të kombit shqiptar Skënderbeu, Isa Boletini, Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka, Bardhosh Gërvalla, Rexhep Mala, Nuhi Berisha dhe shumë të tjerë.

