Hoxhaj me sulm frontal ndaj Kurtit: Po i shkatërrohen themelet e shtetit

Kandidati për deputet nga PDK, ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj ka publikuar një video të re elektorale të realizuar me inteligjencë artificiale, ku ka drejtuar akuza të ashpra ndaj kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për “rrënimin e themeleve të shtetit”.

Videoja është publikuar në rrjetet sociale gjatë fushatës zgjedhore dhe vjen në vazhdën e videove të ngjashme që Hoxhaj kishte lansuar edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve të dhjetorit 2025, ku përdorimi i AI-së dhe narracionit emocional kishte marrë vëmendje të madhe publike dhe mediale.

Në përshkrimin e videos në Facebook, Hoxhaj ka shkruar:

“Çlirimtarët sollën lirinë dhe shtetin. Albin Kurti po e rrënon deri në themelet e tij.”

Në videon me tone të forta politike, Hoxhaj thotë se Kosova nuk ishte “në bodrum”, por një shtet i ndërtuar me sakrificë dhe partneritet me Perëndimin.

“Albin Kurti nuk e gjeti Kosovën në bodrum e të zhytur në ujë. Ai e mori Kosovën me çelës në dorë. Një shtet të lirë. Një shtet të pavarur. Një shtet të ndërtuar me sakrificën e një populli të tërë.”

Ai kujton rolin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe periudhën e shtetndërtimit pas luftës.

“Kosovën nga errësira e nxorën djemtë dhe vajzat e UÇK-së. Mbi gjakun e tyre u hap rruga e lirisë. U ngrit flamuri i shtetit të Kosovës.”

Në mesazhin e tij, Hoxhaj rendit edhe arritjet që, sipas tij, janë ndërtuar nga qeveritë e kaluara: pavarësia, njohjet ndërkombëtare, partneritetet me SHBA-në dhe BE-në, ushtria, infrastruktura dhe zhvillimi ekonomik.

“Ndërtuam institucione, ekonominë, rrugë dhe vet shtetin e Kosovës. Shpallëm Pavarësinë. Sollëm njohje ndërkombëtare. Ndërtuam partneritete me Amerikën dhe Evropën.”

Një pjesë e videos fokusohet në kritikat ndaj qeverisjes aktuale, ku Hoxhaj përmend rritjen e çmimeve, emigrimin e të rinjve dhe ngecjen e projekteve infrastrukturore.

“Kur Albin Kurti erdhi në pushtet, e mori një shtet funksional. Me themele të forta. Por për gjashtë vite, ai goditi pikërisht këto themele.”

Ai përmend edhe projekte konkrete, si Autostrada e Gjilanit, Teatri Kombëtar dhe Stadiumi Kombëtar, duke thënë se kanë mbetur të papërfunduara.

Në fund të videos, Hoxhaj prezanton zotimet e Partia Demokratike e Kosovës për energjinë, infrastrukturën dhe integrimin euroatlantik të Kosovës.

“Do ta bëjmë pjesë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian.”

Videoja është realizuar me elemente të avancuara vizuale dhe narracion të gjeneruar me AI, një format që Hoxhaj e ka përdorur edhe në fushatat e mëhershme për të krijuar përmbajtje politike me ndikim të madh në rrjetet sociale. /Kosova.info/


Go to TOP