Samadrexha fiton në Gjakovë, kampioni vendoset në ndeshjen e pestë

Samadrexha ka shënuar fitore të madhe të dielën në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Samadrexha e mposhti Shqiponjën vendase me rezultat 24:20, në ndeshjen e katërt të finales së plejofit në Superligën e Kosovës në hendboll në konkurrencë të femrave.

Tani rezultati është 2:2, ndërsa kampioni vendoset në ndeshjen e pestë që luhet mesjavën e ardhshme në Samadrexhë.

Shqiponja kishte fituar dy ndeshjet e para, në udhëtim e në shtëpi, por Samadrexha u përgjigj duke fituar ndeshjen e tretë dhe të katërt.

Pjesa e parë e ndeshjes së luajtur të dielën kryesisht ishte e barabartë, ndërsa përfundoi 10:9 për mysafiret. Në pjesën e dytë samadrexhaset u shkëputën deri në gjashtë gola. Shqiponja ia doli të afrohet në dy gola në fund, por lojtaret e Samadrexhës ruajtën qetësinë, shënuan edhe dy herë për fitore shumë të vlefshme.

Vitoria Oliveira ishte më efikasja te Samadrexha me shtatë gola. Katër i realizoi Tina Hetemi.

Te Shqiponja, Alma Nivokazi ishte më efikasja me pesë gola. Me pritje u dalluan edhe portieret e të dy skuadrave. /Kosova.info/

Go to TOP