Hoti nga Xërxa: Fryma e fitores së LDK-së po ndjehet fuqishëm, Rahoveci meriton udhëheqje me vizion

Ish-kryeministri dhe nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka marrë pjesë sot në një tubim në fshatin Xërxë të Rahovecit, ku u shpreh i bindur se fitorja e LDK-së në zgjedhjet e ardhshme është e pashmangshme.

Në takim, Hoti ishte i shoqëruar nga kandidati për kryetar të Komunës së Rahovecit, Burim Krasniqi, si dhe nga kandidatët për Kuvend Komunal, prof. Gani Kryeziu dhe Edona Kryeziu.

“Në Xërxë, sot u ndje fuqishëm fryma e fitores së LDK-së! Bashkë me kandidatin tonë për kryetar, Burim Krasniqin, dhe me ekipin tonë të përkushtuar, përcollëm mesazhin e qartë: LDK po kthehet për t’u shërbyer qytetarëve me ndershmëri dhe vizion,” deklaroi Hoti.

Ai theksoi se Rahoveci dhe Xërxa meritojnë zhvillim të vërtetë dhe udhëheqje që punon për interesat e qytetarëve, e jo për interesa partiake.

“Me Burimin në krye dhe me ekipin që ka bagazh profesional, fitorja e LDK-së është e pashmangshme sepse është fitore për qytetarët dhe për Rahovecin,” shtoi Hoti.

Takimi në Xërxë u prit me entuziazëm nga qytetarët, të cilët shprehën mbështetje për kandidatin Burim Krasniqi dhe për vizionin e LDK-së për zhvillim të qëndrueshëm lokal.

🔷 LDK 113 – Për Rahovecin që ecën përpara me punë, jo me premtime. /Kosova.info/


Go to TOP