Havolli: Unaza e brendshme po merr formë, një nga projektet më të rëndësishme të këtij mandati
Drejtori i investimeve kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka njoftuar nga terreni për ecurinë e punimeve në unazën e brendshme të kryeqytetit duke e cilësuar projektin si një ndër më të rëndësishmit e të shumëpriturit ndër vite.
“Mirëmrama Prishtina. Jemi te unaza e brendshme e kryeqytetit. Një punë e jashtëzakonshme e cila nuk është realizuar për vite e vite, por që në mandatin e kryetarit Përparim Rama, tashmë veç është duke marrë formën adekuate”, tha Havolli në një deklarim publik.
Ai theksoi se për pak javë, e gjithë hapësira ndërmjetëse do të jetë e asfaltuar dhe funksionale duke shërbyer si një nga daljet më të rëndësishme të qytetit.
Sipas tij, ky segment pritet të reduktojë kolonat në pjesën veriperëndimore të Prishtinës për 20% deri në 25%.
“Kryeqyteti po merr formë, daljet po marrin formë, hyrjet po marrin formë, dhe komunikacioni është një nga çështjet që është adresuar në mënyrën më adekuate gjatë këtij mandati”, përfundoi ai.
Ky projekt është pjesë e investimeve të mëdha infrastrukturore që po realizohen në Prishtinë, me synim përmirësimin e qarkullimit dhe jetës urbane në qytet. /Kosova.info/
