Havolli akuzon Qeverinë: Njësi e organizuar për sabotimin e projekteve të Prishtinës, e udhëhequr nga Kurti

Drejtori i Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, Sokol Havolli, ka lëshuar akuza të forta ndaj Qeverisë së Kosovës, duke thënë se ekzistonte një “njësi e organizuar” brenda institucioneve qendrore, me qëllim sabotimin e projekteve zhvillimore të kryeqytetit.

Havolli liston disa projekte që sipas tij janë bllokuar nga ministrat e Qeverisë Kurti, përfshirë:

1. Sheshin “Xhorxh Bush” – përmes ministrit Hajrullah Çeku;

2. “Ishullin Urban” (lidhja Arbëri–Pallati i Rinisë) – përmes Çekut dhe Infrakos-it;

3. Sheshin “Rexhep Luci”, “Qamil Hoxha” dhe “Sylejman Vokshi” – po ashtu përmes Çekut;

4. Unazën e Jashtme të Prishtinës – përmes ministrit Hekuran Murati;

5. Buxhetin e Prishtinës për vitin 2025 – përmes Muratit;

6. Lojërat Mesdhetare – siç thotë, të tentuara të sabotohen po nga Çeku dhe

7. Rrugën A – përmes “motra në gjykatë”, që sipas tij zvarritën vendimet me muaj.

Sipas Havollit, kjo strukturë funksiononte me udhëheqjen direkte të kryeministrit Albin Kurti, me qëllim pengimin e punëve të kryetarit Përparim Rama dhe krijimin e kushteve për marrjen e pushtetit përmes “sabotazhit, shantazhit e frikësimit”.

Ai i rikujton disa mesazhe të publikuara më herët, që sipas tij tregonin qasjen e Qeverisë ndaj drejtuesve lokalë: “Shko në Londër, s’ka buxhet për kryetarë që s’janë të VV-së, gjej punë tjetër…”

Në fund, Havolli thotë se këto përpjekje janë kundërshtuar nga qytetarët e Prishtinës: “Tash mos lehni më, ju ka kallxu venin qytetari i Prishtinës. Budallës s’ja lëshojmë rrugën.” /Kosova.info/


Go to TOP