Haradinaj takon kreun e SBAShK-ut: Synojmë rritjen e pagave për 50 %

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot në takim kreun e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj.

Haradinaj pas takimit ka thënë se ka qenë gjithmonë në mbështetje dhe respektim të interesave të mësimdhënësve, duke premtuar rritjen e pagave për punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet për 50 %.

“Unë personalisht dhe Aleanca, kemi respektuar gjithmonë misionin e sindikalistëve në mbrojtjen e interesave të mësimdhënësve. Kemi pasur shumë herë mospajtime por gjithmonë kemi qenë konstruktiv në veprime që mësimdhënësit të jenë të vlerësuar dinjitetshëm”, ka thënë Haradinaj.

“Në takim me delegacionin e SBAShK, kryesuar nga z. Rrahman Jasharaj, u njoftova për sfidat me të cilat përballen mësimdhënësit dhe arsimi në përgjithësi. Po ashtu, me ta i ndava 14 prioritetet në sferën e arsimit që do të përfshihen në programin zgjedhor të AAK-së 2025-2029.

“E konfirmova synimin tonë për rritjen e pagave për punëtorët e arsimit në të gjitha nivelet për 50% si dhe ngritjen e buxhetit për arsim për 6%. Arsimi do të jetë prioritet i Aleancës”, është shprehur Haradinaj. /Kosova.info/

Go to TOP