Haradinaj: Gjenerali Mike Jackson, Mik i Madh i Kosovës me Kontribut të Paharrueshëm
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka reaguar pas ndarjes nga jeta të Gjeneralit Mike Jackson, komandantit të parë të KFOR-it në Kosovë. Haradinaj shprehu pikëllimin e tij për humbjen e këtij personaliteti të rëndësishëm, duke theksuar kontributin e jashtëzakonshëm që Gjenerali Jackson dha në ditët e para të lirisë së Kosovës.
“Lajmi për shkuarjen në amshim të Gjeneralit Mike Jackson, Komandantit të parë të KFOR-it, më mërziti shumë pasi që ai ishte personalitet që dha një kontribut të jashtëzakonshëm që në ditët e para të lirisë. Gjeneral Jackson, ishte lider pragmatik, ushtarak me plot kuptimin e fjalës dhe mik i madh i Kosovës. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në disa procese vendimtare për vendin,” u shpreh Haradinaj.
Ai gjithashtu shtoi se kontributi i Gjeneralit Jackson për Kosovën do të mbetet gjithmonë në zemrat e popullit të Kosovës me mirënjohje të përhershme. “Për mua ka qenë një nder i veçantë që të bashkëpunoj me të gjatë procesit të shtet-ndërtimit të Kosovës, dhe nga ky bashkëpunim lindi një miqësi e sinqertë. Kontributi i tij për Kosovën është i pazëvendësueshëm dhe do të mbetet gjithmonë në zemrat e popullit tonë,” përfundoi Haradinaj, duke i uruar Gjeneralit Jackson që të prehet në paqe.
