Halimi: Kryeqyteti peng i një mendësie shpelle dhe bllokadave të organizuara politike
Drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Sibel Halimi, ka reaguar ashpër ndaj bllokadave politike që, sipas saj, po paralizojnë funksionimin institucional dhe po dëmtojnë seriozisht të ardhmen e kryeqytetit.
Në një postim publik, Halimi ka përdorur fjalor të drejtpërdrejtë duke e përshkruar gjendjen aktuale si pasojë të një “mendësie shpelle” që, sipas saj, po mbyt çdo ide, çdo iniciativë dhe përpjekje për ta bërë Prishtinën një vend më të jetueshëm dhe më dinjitoz.
“Në vend që të mbështesin punën dhe përkushtimin, gjejnë kohë vetëm për cinizëm të paskrupullt dhe bllokada të vazhdueshme. Është e pabesueshme ku kemi përfunduar: pa Parlament, me institucione të paralizuara dhe me barriera të vendosura me qëllim, vetëm për ta mbajtur vendin peng të një mentaliteti të kalbur,” shkruan Halimi.
Duke mbrojtur punën e kryetarit të Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ajo thekson se pavarësisht sfidave, ai po përpiqet të sjellë projekte dhe zgjidhje konkrete për qytetarët, por ndeshet përditë me atë që e quan “mur të bllokimit politik dhe ligësisë së organizuar.”
Halimi u bën thirrje qytetarëve të mos qëndrojnë më pasivë përballë kësaj situate, por të marrin përgjegjësi dhe të refuzojnë normalizimin e bllokadave si pjesë e përditshmërisë politike.
“Përparimi nuk vjen vetë. Përparimi kërkon që secili të marrë përgjegjësi, të mos pranojë më bllokimin si normalitet dhe të mos e lërë më kryeqytetin peng të atyre që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër veçse të shkatërrojnë,” përfundon reagimi i saj. /Kosova.info/
