Hadergjonaj: Sabahate Tolaj është krenari e UÇK-së, Policisë së Kosovës dhe kombit shqiptar

Deputeti i LDK-së dhe njëri nga komandantët e Betejës së Kosharës, Fadil Hadergjonaj Bjeshka, ka reaguar ashpër ndaj një postimi të publikuar në portalin Al Press, të cilin e cilëson si shpifje dhe tentim për njollosjen e figurës së heroinës së Kosovës, Sabahate Tolaj.

Hadergjonaj thekson se postimi i datës 17 gusht 2025 përmban pretendime të rënda dhe të pavërteta duke ricikluar shpifje të vjetra dhe krijuar të reja ndaj Tolajt, e cila sipas tij është një simbol i guximit, sakrificës dhe përkushtimit për lirinë e Kosovës.

Ai sqaron se portalet kanë pasur mundësi të verifikojnë faktet, përfshirë edhe deklaratat e Nait Hasanit, të cilat tashmë janë përgënjeshtruar nga familja e apostrofuar dhe janë në trajtim gjyqësor. “Sabahatja nuk gjendet më në mesin tonë tash e 22 vite dhe nuk mund ta mbrojë vetë dinjitetin e saj. Por emri i saj është ngulitur në analet e historisë së Kosovës”, thekson Hadergjonaj.

Në reagim ai kujton se Sabahate Tolaj pas përfundimit të shkollës së mesme ishte pjesë e shërbimit ushtarak, si shumë të rinj shqiptarë të asaj kohe, por asnjëherë pjesë e sigurimit shtetëror jugosllav, siç pretendohet në postim. Në fund të viteve ’90, ajo u rreshtua ndër të parat në brigadat e UÇK-së duke dhënë kontribut të madh në logjistikë dhe furnizim të njësive në terren, ndërsa u dëshmua edhe në Betejën e Kosharës.

Pas luftës, Tolaj vazhdoi shërbimin në TMK dhe më pas në Policinë e Kosovës, në sektorin e hetimeve të krimeve të rënda, ku më 23 nëntor 2003 ra në krye të detyrës së bashku me kolegun e saj Isuf Haklaj, në një pritë nga armiqtë e ligjit.

“Uniformën e UÇK-së, Sabahate Tolaj e nderoi me çdo veprim të saj. Jeta dhe sakrifica e saj janë dëshmi e pastërtisë dhe idealizmit më të lartë. Çdo përpjekje për ta paraqitur ndryshe është jo vetëm shpifje, por edhe fyerje ndaj gjakut të derdhur për lirinë e Kosovës”, shkruan Hadergjonaj.

Ai bën thirrje që Komisioni i Pavarur i Mediave dhe organet kompetente të ndërmarrin masa kundër portalit në fjalë, ndërsa qytetarët të denoncojnë shpifjet e këtij lloji.

Për kontributin dhe sakrificën e saj, Sabahate Tolaj është dekoruar nga Presidenti i Kosovës me urdhrin “Heroinë e Kosovës” në gusht të vitit 2020. /Kosova.info/


Go to TOP