Muharremi: LVV ka dështuar në qeverisje, duhet të kalojë në opozitë dhe të reformohet

Analisti Shenoll Muharremi ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) duhet të shkojë në opozitë dhe të reformohet duke theksuar se kjo është e vetmja rrugë pas dështimeve të shumta gjatë qeverisjes. Ai ka renditur një sërë argumentesh që, sipas tij, dëshmojnë se LVV nuk ka përmbushur premtimet e saj dhe është shndërruar në rrezik për vendin.

Sipas Muharremit, Kushtetuta është shkelur dhjetëra herë nga LVV dhe deputetët e saj, gjë që është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese. Ai theksoi gjithashtu sulmet ndaj bizneseve dhe krizën energjetike që, sipas tij, u shkaktua nga politikat e gabuara të qeverisë duke rritur çmimin e rrymës dhe duke rrezikuar ekonominë e vendit.

Muharremi foli edhe për qasjen e qeverisë ndaj mediave, të cilën e cilësoi “gati naziste”, si dhe për kapjen e bordeve dhe institucioneve nga njerëz partiakë. Ai shtoi se qeverisja aktuale është e dobët dhe e paaftë, veçanërisht në fushën e ekonomisë, arsimit dhe diplomacisë duke e lënë Kosovën të izoluar, me masa ndëshkuese nga BE dhe fonde të bllokuara.

“Shpresa ka humbur gjatë qeverisjes së tyre, dhe vetëm vitin e kaluar 37 mijë persona kanë ikur jashtë vendit”, tha Muharremi duke theksuar se LVV ka pasur rastin e saj me pushtet absolut, por nuk ka arritur të bëjë gjërat e mira që kishte premtuar.

Ai përfundoi se të gjitha këto janë indikatorë të qartë që LVV duhet të kalojë në opozitë dhe të reformohet, pasi nuk është më ashtu siç ishte premtuar para ardhjes në pushtet. /Kosova.info/


Go to TOP