Bugaqku: Edhe aktgjykimi i Kushtetueses me mangësi
Shoqëria civile konsideron se publikimi i plotë i aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese për ngërçin politik është një lajm i mirë pasi konstaton se konstituivi i Kuvendit të Kosovës duhet të vazhdohet në procedurë të hapur të votimit të një kandidature të propozuar nga grupi më i madh parlamentar.
Edhe ky aktgjykim thekson se mungesa e pasojave juridike dhe mos vënia e masës ndëshkuese për kryesuesin e Avni Dehari, janë mangësi në këtë aktgjykim. Kështu thotë për KosovaPress Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës, sipas të cilit ky aktgjykim i Kushtetueses theksoi që deputetët brenda 30 ditëve e kanë obligim kushtetues të konstituojnë Kuvendin.
Bugaqku: Ky është lajm i mirë se më në fund Gjykata Kushtetuese dha aktgjykimin e saj të plotë
“Ky është lajm i mirë se më në fund Gjykata Kushtetuese dha aktgjykimin e saj të plotë ku konstatoi faktin se procedurat e konstituivit të Kuvendit nga ana e administruesit të seancave të Kuvendit zotëri Dehari kanë qenë jokushtetuese dhe rrjedhimisht i shpalli si të pavlefshme të gjitha ato që janë administruar pas datës 26 qershor 2025 dhe rrjedhimisht tani gjykata e bëri të qartë se tani e tutje konstituivi i Kuvendit duhet të vazhdohet në procedurë të hapur të votimit të një kandidature të propozuar nga grupi më i madh parlamentar. Së dyti theksoi edhe njëherë që deputetët duhet brenda 30 ditëve kanë obligim kushtetues të konstituojnë Kuvendin”, tha ai.
Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës thekson se pas shkeljeve që Kushtetuesja i ka gjetur në administrimin e seancës konstituive nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari këtij të fundit i është dashur t’i merret e drejta për të udhëhequr tutje seancën për formimin e Kuvendit.
Bugaqku: Aktgjykimi ka mangësi
“Edhe ky aktgjykim duket se ka njëfarë mangësie dhe ajo mangësi është për faktin se nuk po sqaron se çfarë pasoja ka në rast se konstituivi i Kuvendit nuk realizohet brenda 30 ditëve… Si mangësi të dytë që e ka ky aktgjykim që konsideroj unë që pavarësisht që konstatoi se kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka shkelur aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese për mënyrën se si e ka administruar seancën konstituive pasi konstatoi se nuk është respektuar as Kushtetuta as Rregullorja e Punës e as rendi i ditës gjykata nuk vendos ndonjë masë sanksionuese ndaj kryesuesit të Kuvendit që meqenëse për dhjetëra seanca i njëjti qëllimshëm dhe krejtësisht në mënyrë arbitrare ka administruar seanca konstituive mendoj se Gjykata Kushtetuese ka pas një mundësi që ndaj të njëjtit të shqiptoj një masë që t’i hiqet e drejta e udhëheqjes dhe administrative të seancës konstituive”, tha ai.
Gjatë ditës së sotme Gjykata Kushtetuese e ka publikuar aktgjykimin e saj për bllokadën politike në vend.
E paraditen e sotme derisa ende nuk ishte bërë publik aktgjykimi i plotë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti kishte deklaruar se nuk është mirë që ka këso vonesa.
