Guardiola ende ndihet mirë te City, por e ardhmja mbetet e paqartë
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka thënë se ende ka energji për të vazhduar te Manchester City, por e ka lënë të hapur mundësinë e largimit në fund të sezonit.
Kontrata e tij me klubin anglez skadon në vitin 2027, por së fundmi ka pasur raportime se ai mund të largohet më herët. Guardiola ka shprehur më parë dëshirën për të drejtuar një kombëtare në një turne të madh, ndërsa është lidhur edhe me një kalim te Italia.
Nëse ai largohet, një nga emrat që përmendet si pasues është ish-trajneri i Chelsea, Enzo Maresca.
Vetë Guardiola ka deklaruar se ende nuk ka vendosur për të ardhmen.
“Kam ende energji të jashtëzakonshme. Edhe në ditët e pushimit vij në punë. Kjo tregon sa mirë ndihem këtu”, është shprehur ai.
Ai ka vlerësuar stabilitetin e klubit, duke theksuar se kjo është arsyeja pse City është vazhdimisht në garë për trofe dhe pjesëmarrës i rregullt në Champions League.
Guardiola ka drejtuar Manchester Cityn që nga viti 2016, duke e bërë këtë periudhën më të suksesshme në historinë e klubit.
