Gjermania do ta rishikojë Ligjin për Energjinë si masë për t’i shpëtuar bizneset nga ndikimi i Rusisë

Qeveria federale e Gjermanisë do të mund të blejë aksione në kompanitë e energjisë që po përballen me kostot e rritjes së çmimeve të importit të gazit, pasi Berlini po përpiqet të forcojë mbrojtjen e një lufte ekonomike me Moskën.

Projektligji për Energjinë mund t’i japë gjithashtu të drejtën qeverisë për të vendosur taksa emergjente ndaj konsumatorëve, megjithëse mbetet ende e paqartë se sa shpejt mund ta ushtrojë qeveria këtë të drejtë.

Administrata e kancelarit Olaf Scholz po përpiqet të përballojë ndikimin e rritjes së çmimeve të energjisë pas pushtimit ushtarak të Ukrainës nga Rusia, duke paralajmëruar se bizneset mund të përballen me një kolaps të modelit të “Lehman Brothers” nëse nuk arrijnë t’ua kalojnë kostot konsumatorëve.

Sipas propozimeve të reja për energjinë, qeveria do të jetë në gjendje të marrë aksione me të drejta vote ose jo në ato kompani që lidhen me infrastrukturën kritike, nëpërmjet disa mekanizmave të njëjtë që u përdorën për të shpëtuar kompanitë gjatë pandemisë COVID-19.

Zyrtarët kanë biseduar me blerësin më të madh të gazit rus në Gjermani, Uniper për një paketë të mundshme shpëtimi. Lajmet për ndryshimet e propozuara legjislative bënë që vlera e aksioneve të bie pasi investitorët druhen nga rreziqet e shtetëzimit.

Një ndihmë e mundshme për Uniper mund të bazohet te lehtësirat që u ofruan gjatë pandemisë për linjën ajrore Lufthansa, e cila u shpëtua nga falimentimi gjatë pandemisë me një paketë ndihme prej 9 miliardë euro.

Go to TOP