Gazetari dhe Publicisti Islami nderohet me çmimin “Nderi i Kombit” nga Bashkësia kulturore shqiptare në Bukuresht

Gazetari dhe publicisti i njohur Nehat Islami është nderuar me çmimin “Nderi i Kombit” nga Bashkësia Kulturore shqiptare e Rumanisë për merita të veçanta publicistike, njerëzore dhe atdhetare, raporton Kosova.info.

Në dhënien e çmimit, veprimtari i shquar Baki Ymeri, ka folur jo vetëm për punë e tij por edhe hedhjen dritë asokohe të veprimtarisë së komunitetit shqiptarë dhe prezantimin e shumë ngjarjeve që për publikun ishin të panjohura. Islami në vitin 1971 ka realizuar disa reportazhe në Bukuresht, me koloninë shqiptare.

Në emision janë biseda me Viktor Eftimiun, me të mbesat e Asdrenit, dhe më e veçanta me tre nga këngëtarët e grupit të parë që kanë ushtruar dhe kënduar Himnin Kombëtar me Asdrenin dhe me kompozitorin rumun. Ka edhe shumë personalitete shqiptare të asaj kohe, të cilët më nuk janë të gjallë.

Një ndër doajenët e gazetarisë shqiptare Islami ka publikuar një libër “Një adresë në Bukuresht”, botim i “Faik Konica” më 2016.

“Një adresë në Bukuresht” është vepër me vlerë të rrallë në fushën e publicistikës, një dëshmi për kohën dhe përkushtimin e Nehat Islamit me kontributet shkrimore të përzgjedhura në të, nga periudhat kohore prej pesëdhjetë vjetëve”.

Publicisti Ibrahim Kadriu e kishte cilësuar këtë libër si një letërnjoftim për ngjarje dhe figura autoritetesh.

“Ka rëndësi të veçantë pikërisht për shkak se është sajuar me përmbajtje të tilla që shënojnë kohët, ecjet dhe ngecjet e atyre kohëve, të barasvlershme me dëshmitë që sot, vërtet, i atribuohen faqeve të historisë”, tha Kadriu.

“Të tillat shkrime, gjithnjë me emblemat e konotacionit kombëtar, janë shembujt tipikë që bëjnë me dije përkushtimin e gazetarëve shqiptarë (në ato kohë plot sfida e shqetësime) për zbardhjen e realiteteve edhe kur ato ishin të hidhura, përmes gazetarisë hulumtuese si qasje, dhe përmes reportazheve dhe intervistave, si lloje shkrimesh”.

Bukureshti ishte një nga qendrat kryesore e rilindësve dhe lëvizjes shqiptare.

Veprimtari dhe publicisti i njohur shqiptarë në Bukuresht, Ymeri duke cituar Lasgush Poradecit, thekson se në Bukuresht Lëvizja shqiptare për të fituar lirinë dhe kombëtarësinë e humbur mori fill në qindvjetorin e shekullit nëntëmbëdhjetë brenda kolonive të mërgimit, duke patur si udhëheqëse më të vendosur dhe më të madhe atë të Rumanisë me kryeqendër Bukureshtin.

Në Bukuresht u themeluan shoqëri dhe shtypshkronja dhe gazeta dhe shkolla dhe kisha dhe xhamia më e parë shqiptare ndër gjithë popujt ballkanikë të robërisë”.

Kolonia e Bukureshtit, sipas tij, „jo vetëm që e fitoi famën e saj të pavdekur si veterania e veteraneve me një veprim politik të shumanshëm, po veçanërisht dhe sipër së gjithash, ajo u shqua si pishtar i vërtetë i përhapjes kulturore jashtë dhe brenda Shqipërisë.

Ajo shtypi librat e Naim Frashërit dhe të Asdrenit, që përflakën të rinj e pleq me zjarrin e përvëluar të atdhedashurisë. Ajo e përmbajti në gjirin e saj dhe përtej, shpirtin e kombit të etur për liri duke e nxitur pa pushim në punë vetëtherorie, duke i rrëfyer me njëmijë shëmbëlle udhën e shenjtë që shpinte për në jetën e pavarur të shtetit shqiptar të ardhshëm.

Këto janë disa nga fragmente nga revista „Shqiptari” kushtuar Zt. Nehat Islami dhe familjes së tij.

“Redaksia falënderon përzemërsisht vajzat e tij në Amerikë për kujdesin dhe kontributin simbolik monetar, që kjo revistë (më e vjetra e Diasporës Shqiptare), ta shohë edhe më tej dritën e botimit”, thekson Ymeri. /Kosova.info/

Go to TOP