Fitoi bojkoti qytetar

Shkruan: Florim ZEQA

E mira është se zgjedhjet e 28 dhjetorit u zhvilluan në mënyrë të qetë dhe demokratike. Megjithatë, edhe përkundër prezencës së madhe të mërgimtarëve, dalja në zgjedhje ishte tejet e ulët – vetëm 43.47%.

Dalja e ulët e elektoratit është dëshmi e qartë se qytetarët janë lodhur nga këto parti politike dhe nga këta liderë partiakë.

Fitues pa legjitimitet qytetar
Qytetarët dhe mërgimtarët duan një alternativë të re politike; duan një fillim të ri që nënkupton shkëputje nga e kaluara dhe hapjen e një epoke të re politike, e cila e çon vendin drejt progresit dhe zhvillimit ekonomik.

Këto zgjedhje dëshmuan se vetëm 43.47% e popullatës i beson kësaj klase politike dhe këtyre partive që kanë dështuar në qeverisjen e vendit, ndërsa 56.53% kërkojnë ndryshim substancial përmes një alternative të re politike.

Nga 43.47% e qytetarëve që dolën në zgjedhje, tre ish-partitë opozitare u ndëshkuan me votë, ndërsa afërsisht gjysma e kësaj përqindjeje i besoi Lëvizjes Vetëvendosje – me një legjitimitet politik të cunguar.

E quaj këtë legjitimitet “të cunguar” për faktin se, kur pjesëmarrja në zgjedhje është nën 50%, ato konsiderohen të dështuara dhe pa legjitimitet të plotë qytetar.

Në raste të tilla, kur mungon legjitimiteti qytetar, duhet të formohet një qeveri teknike, e mandatuar nga Presidenti i Republikës, me mandat dyvjeçar, si dhe të emërohen deputetë të përkohshëm deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Ky është rendi dhe parimi bazë demokratik, të cilin vendi ynë nuk e ka përfillur që nga viti 2001, kur pjesëmarrja në zgjedhje ishte 64.3%.

Paradoksalisht, që nga ajo kohë e deri më sot, Kosova është qeverisur pa legjitimitet të plotë qytetar.

Bazuar në rregullin themelor të demokracisë, ku shumica vendos për kahun e zhvillimit politik të vendit, rezulton se në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025 fituesi real ishte bojkoti politik.

Prandaj, për të ecur përpara në përputhje me rregullat demokratike, vendit i nevojitet një Qeveri Teknike, për të dalë nga kriza e thellë politike dhe për ta rikthyer besimin qytetar përmes një alternative të re politike – e cila, në rastin më të mirë, është projekti im politik: Alternativa Demokratike për Ndryshim (ADN).

ADN – Alternativa Demokratike për Ndryshim do të jetë forca e ndryshimit politik, rreth së cilës do të rreshtohen 56.53%, pra shumica e qytetarëve të Kosovës, duke i dhënë zgjedhjeve legjitimitet të plotë demokratik.

Go to TOP