Punëtorët në Kosovë protestojnë për kushte më të mira pune

Qindra protestues, kanë marrë pjesë në protestën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, e mbështetur nga sindikata tjera me rastin e 1 Majit – Ditës së Punëtorëve. Marshi protestues nisi nga Biblioteka Kombëtare, për të vazhduar drejt shesheve të Prishtinës, për tu ndalur para Qeverisë, ku krerët sindikalistë mbajtën edhe nga një fjalim.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jashari, ka thënë se Qeveria e Kosovës po i ik dialogut me sindikatat.

“Kemi bërë shumë angazhime dhe kemi pasur gatishmëri që kërkesat legjitime të anëtarësisë dhe pensionistëve t’i bashkëbisedojmë me qeverinë dhe të angazhohemi bashkërisht për realizimin e tyre, por qeveria vazhdon ti ik dialogut dhe prandaj duke respektuar zërin e anëtarësisë jemi këtu në këtë protestë”, ka thënë Jashari.

Ai ka kërkuar nga Qeveria që të realizojë kërkesat e tyre, ndryshe ka paralajmëruar veprime të tjera sindikale.

Jusuf Azemi nga Sindikata e Punëtoreve të Sektorit Privat, ka thënë se kjo sindikatë i adreson kërkesat e tyre çdo ditë, mirëpo nuk ka ende asnjë zgjidhje.

 “Para se të vinte në këtë qeveri, ky kryeministër na pat lodh. Zgjidhjen nuk po e kërkojmë te Qeveria por te liberalizimi i vizave, që nëse vazhdon kështu edhe dy vite kryeministrin nuk ka kush ta bartë me xhipa të zi sepse Kosovën defacto 150 mijë punëtorë e braktisën në tre muajt e parë të këtij viti”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, tka deklaruar se prania e tyre në masë të madhe, tregon për fuqinë që e kanë. Ai i bëri ftesë ekzekutivit që të angazhohet për dialog me sindikatat.

“Prania jonë këtu është dëshmi e besimit tonë në fuqinë e dialogut dhe angazhimit konstruktiv. Jemi mbledhur për të nxitur mirëkuptim për hapa të mëtutjeshëm. Qeverisë i bëjmë ftesë të hapur për tu angazhuar për dialog. Kërkesat tona lindin nga një dëshirë e përbashkët për punëtorët e arsimit, sektorit privat, dhe gjithë punëtoret në Kosovë”, ka theksuar Hykolli.

Fillon protesta e organizuar nga SBAShK-u

Ka nisur protesta e Sindikatës së Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës, në shenjë pakënaqësie për kushtet e punës të mësimdhënësve dhe punëtorëve të tjerë. Protesta po mbahet për 1 Maji-Ditën Ndërkombëtare e Punëtorëve.

Protestuesit po kërkojnë rritje të koeficientit, funksionalizim të këshillit ekonomiko social, kushtet si në shtetet e rajonit, kontratën kolektive, vendimin nga gjykata 0,5 për përvojën e punës, dialog social për realizimin e kërkesave, si dhe ndryshimin e aneks- kontratës kolektive për ruajtën e vendit të punës.

Protestës i është bashkuar edhe kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi dhe kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) Atdhe Hykolli. 

Pasi mbledhjes së masës në oborrin e Bibliotekës Kombëtare, protestuesit vazhdojnë marshin deri te ndërtesa e Qeverisë.

Go to TOP