Erdogan thotë se Turqia nuk dëshiron të marrë territor sirian

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha më 19 gusht se Turqia nuk dëshiron që të marrë nën kontroll territor të Sirisë, pavarësisht se shteti i tij ka shpeshtuar sulmet ndaj forcave kurde që gjenden në veri të Sirisë.

“Ne nuk i kemi sytë te territori në Siri sepse populli sirian janë vëllezërit tanë”, tha Erdogan për gazetarët, teksa u nis për në Turqi pas qëndrimit në Ukrainë.

“Regjimi [sirian] duhet ta di këtë”, shtoi lideri turk.

Ai tha po ashtu se Ankaraja nuk e përjashton asnjëherë mundësinë e dialogut dhe diplomacisë me Sirinë.

I pyetur për bisedimet potenciale me Damaskun, sipas raportimeve, Erdogan tha se diplomacia mes dy shteteve nuk mund të ndërpritet kurrë plotësisht. Ka nevojë për “për hapa të mëtejmë me Sirinë”, theksoi Erdogan.

Këto janë qëndrime më të buta sesa komentet paraprake të liderit turk karshi Sirisë fqinje.

Ankaraja mbështet palët opozitare në luftën në Siri dhe Damasku e ka akuzuar Turqinë se mbështet grupe “terroriste” në vend.

Më herët gjatë këtij viti, Erdogani u zotua se do të kryejë një tjetër operacion ushtarak në veri të Sirisë.

Që nga viti 2016, Turqia ka ndihmuar aleatët e saj sirianë që të marrin nën kontroll qindra kilometra territor dhe është futur rreth 30 kilometra në territorin sirian, për të luftuar milicinë kurde YPG, që e konsideron organizatë terroriste.

Go to TOP