Dyshimet për helmim në Kaçanik nga uji i pijshëm, komuna në pritje të rezultateve

Që nga e hëna e kësaj jave rreth 300 qytetarë kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Kaçanik, për shkak të simptomave që dyshohet të jenë nga helmimi me ujë të pijshëm. 

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, Besim Ilazi ka treguar se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) është duke i kryer analizat bakteriologjike, rezultatin e të cilave ende janë duke e pritur.

“Kemi një numër jo relativisht të madh me simptoma të lehta, që i përngjan helmimit. Po dyshohet për ujin e pijshëm. Kemi thirr Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik (IKSHP), kanë marr masa dhe po presim rezultatet bakteriologjike. Analizat kimike kanë dal në rregull”, ka thënë Ilazi.

Sipas tij, simptomat e qytetarëve janë diarre, vjellje, ngërçe, plogështi, etj.

“Simptomat e pacientëve kanë qenë barkëqitje, të vjella, plogështi, ngërçe, temperaturë…Iu është dhënë tretmani”, u shpreh ai.

Kryetari i Komunës së Kaçanikut, tutje theksoi se i kanë rekomanduar qytetarët që ta vlojnë ujin e pijes.

“Është udhëzua ajo pjesë e komunitetit që mundësisht të vlohet uji derisa sa të marrim dhe versionin zyrtarë. Fatmirësisht nuk kemi pasur deri më tani asnjë të hospitalizuar…”, ka thënë Ilazi.

Go to TOP