Vrasja e Shinzo Abe, Rama: Tregon sa shumë tronditen themelet e demokracisë kur politikanët shihen si armiq

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur sot i tronditur nga lajmi për vrasjen e ish-kryeministrit japonez Shinzo Abe.

Në një postim në Twitter, Rama e konsideroi vrasjen e Abe si një ngjarje që tregon se “sa shumë janë tronditur themelet e demokracisë kur politikanët shihen si armiq që duhen eliminuar”.

“I tronditur dhe i pikëlluar nga vdekja e ish-kryeministrit Shinzo Abe. Ngushëllimet tona më të thella familjes së tij dhe popullit të Japonisë. Vrasja e tij nxjerr në pah se sa shumë tronditen themelet e demokracisë kur politikanët shihen si armiq për t’u shkatërruar dhe jo si kundërshtarë për t’u përballur”, shkruan Rama në rrjetin social.

Abe, i cili mbetet kryeministri më jetëgjatë i Japonisë, u qëllua me armë zjarri duke mbajtur një fjalim në fushatën elektorale.

Ai vdiq në spitalin ku po merrte trajtim mjekësor, ka thënë një zyrtar i lartë i Partisë Liberal Demokratike, raporton transmetuesi publik NHK.

Autori i sulmit i dyshuar ishte një burrë rreth të 40-ave, i cili u arrestuar në vendngjarje, raporton BBC.

Go to TOP