Diskutim për shëndetin, turizmin dhe zhvillimin rural në Prishtina Outdoor Festival 2025
Në kuadër të Prishtina Outdoor Festival 2025, sot në sheshin “Zahir Pajaziti” u mbajt një diskutim publik me theks të veçantë në rëndësinë e natyrës për shëndetin, turizmin dhe zhvillimin rural. Aktiviteti bashkoi përfaqësues nga fusha të ndryshme të cilët ndanë ide dhe përvoja mbi mënyrën se si aktivitetet në natyrë ndikojnë pozitivisht në mirëqenien fizike dhe mendore të qytetarëve.
Në panel morën pjesë Veton Kasapolli nga X-Trailers, Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, dhe Arta Celina nga Raiffeisen Bank. Të pranishmit theksuan potencialin e madh që ofron rajoni i Gollakut për zhvillimin e turizmit rural, si dhe nevojën për politika të qëndrueshme që e ndërlidhin natyrën me jetën urbane.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, falënderoi panelistët për vizionin e tyre të përbashkët drejt një Prishtine më të gjelbër, më të shëndetshme dhe më të qëndrueshme. Ai shtoi se aktivitete të tilla jo vetëm që ndërgjegjësojnë qytetarët, por edhe nxisin politika zhvillimore në dobi të komunitetit dhe mjedisit.
Ky diskutim ishte pjesë e një agjende më të gjerë të festivalit, i cili këtë vit po zhvillohet me moton e promovimit të jetesës aktive dhe lidhjes së qytetarëve me natyrën. /Kosova.info/
