DhTIK kërkon nga qeveria Kurti të ndalojë rritjen e çmimit të energjisë: Bizneset në rrezik nga kostoja e lartë
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK) ka reaguar me shqetësim ndaj paralajmërimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike me 15%.
Sipas DhTIK, ky vendim është marrë pa konsultime të mjaftueshme me bizneset dhe pa një analizë të thelluar mbi pasojat ekonomike. Kjo rritje vjen vetëm dy vjet pas një tjetër shtrenjtimi të ngjashëm, e cila ka lënë ende ndikime negative në sektorin privat.
“Një tjetër rritje e çmimit e bën sektorin privat më të pafavorshëm ndaj konkurrencës së huaj dhe mund të çojë në ulje të prodhimit e reduktim të vendeve të punës,” theksoi DhTIK në reagimin e saj.
Dhoma i ka bërë thirrje qeverisë Kurti që të ndërhyjë dhe të ndalojë këtë vendim, duke paralajmëruar se në të kundërtën, shumë biznese mund të përballen me vështirësi serioze që do të dëmtojnë ekonominë vendase. /Kosova.info/
