Denis Galushi reagon ndaj debatit në Big Brother Kosova: termi ‘maxhup’ nuk na identifikon, ne jemi romë-njerëz

Gazetari dhe moderatori Denis Galushi ka reaguar pas përfshirjes së emrit dhe mbiemrit të tij në debatin që u zhvillua në formatin televiziv Big Brother Kosova. Në një deklaratë publike, ai ka sqaruar që nuk e ndjek këtë program, por ka qenë i detyruar të reagojë pas videove të dërguara nga miqtë dhe shokët e tij, ku janë përmendur ai dhe komuniteti rom në kontekst të disa komenteve brenda shtëpisë së Big Brother.

Në qendër të debatit ishin disa ofendime të bëra nga njëri prej banorëve, të cilat përfshinin përdorimin e termit pezhorativ “maxhup”. Një tjetër banor, Vullneti, e kishte cilësuar si racist Xuxin për përdorimin e këtij termi, duke i drejtuar ofendime komunitetit rom.

Në reagimin e tij, Galushi ka theksuar se termi “maxhup” nuk duhet të lidhet ekskluzivisht me komunitetin rom, pasi nuk përfaqëson këtë etni dhe nuk ka lidhje me identitetin e tij. Ai gjithashtu ka theksuar se fjala “rom” në romishten e vjetër përkthehet si “njeri”, duke nënvizuar se romët janë të vetmit që kanë një lidhje të tillë të drejtpërdrejtë me qenien njerëzore.

“Ne romët kemi emër dhe nuk duhet të lejojmë të identifikohemi me terma pezhorativë. Nëse termi ‘maxhup’ nënkupton diçka të keqe, atëherë është e gabuar të përdoret për ne, pasi ai mund të përdoret për këdo: shqiptar, amerikan, gjerman, apo turk. Në vend të kësaj, më mirë është të thuhet: ‘Sillu mirë. Behu rom’,” u shpreh Galushi.

Ai gjithashtu falënderoi Vullnetin për reagimin e tij në mbrojtje të komunitetit rom, por mbrojti Xuxin duke deklaruar se ai nuk është racist dhe ka shfaqur respekt të madh për të.

Reagimi i Galushit u mbyll me mesazhin për të shmangur përdorimin e termave diskriminues dhe për të promovuar korrektësinë dhe respektin ndaj të gjithë njerëzve, pavarësisht prejardhjes së tyre. /Kosova.info/


Go to TOP